Shkurt.ch

Sërish kontroll brenda zonës së Shengenit?

Malströmm nuk përjashton rivënien në fuqi të kontiollit kufitar në mes të shteteve të Shengenit, për një periudhë të kufizuar

Kontrollimet në kufijtë në mes të shteteve të zonës së Shengenit, dukej se i takonin të kaluarës. Por, me fluksin e shtuar të ardhjes së refugjatëve nga Afrika e veriut drejt Evropës Perëndimore, sërish po shqyrtohet vënia në fuqi e metodës «së vjetër e të mirë», të kontrollit.

Kështu, Komisioni i BE-së për çështje të brendshme nuk e përjashton rivënien në fuqi të kontrollit kufitar në mes të shteteve të zonës së Shengenit, për një periudhë të kufizuar, shkruan news.ch.

Komisioni po ashtu angazhohet për një politikë më efikase të kthimit të refugjatëve dhe për forcimin e agjencisë së mbrojtjes së kufijve Frontex.

Komisionerja Evropiane Cecilia Malmström duke iu drejtuar medieve në Bruksel ka theksuar se nevojitet një kontroll më efektiv i kufijve dhe kthim më konsekuent i ardhacakëve ilegalë. Për këtë arsye, shtetet e BE-së që gjenden në kufijtë e jashtëm të zonës së Shengenit duhen mbështetur si dhe duhet nënshkruar marrëveshje për pranimin e refugjatëve me vendet e treta.

Duke iu referuar zhvillimeve në Afrikën e Veriut, Malstromm ka thënë se liria e lëvizjes në zonën e Shengenit nuk mund të ndalohet, por duhen masa për forcimin e sistemit. Dhe stabiliteti i sistemit, sipas saj nënkupton edhe futjen e masave të përkohshme të kontrollit në kufijtë në mes të shteteve anëtare të zonës së Shengenit. Kjo, do të bëhej e mundur vetëm në kushte të jashtëzakonshme, ka thënë ajo.

Zvicra, si shtet që bën pjesë në zonën e Shengenit, i detyrohet vendimeve që eventualisht do të merren në BE në këtë drejtim.