Shkurt.ch

Zvicra hap kufijtë për vendet e reja të BE-së

Frikë e paarsyeshme se pas kësaj do të ketë fluks të pakontrolluar drejt Zvicrës, thonë përgjegjësit

 

Duke filluar nga 1 maji (nesër) marrëveshja për lëvizje të lirë do të përfshijë edhe vendet e Evropës Lindore, anëtare të Bashkimit Evropian si: Çekia, Estonia, Letonia, Lituania, Hungaria, Polonia Sllovakia dhe Sllovenia.

 

Në votimin e bërë në vitin 2005, zviceranët e kishin miratuar zgjerimin  e lëvizjes së lirë edhe me këto vende, shkruan në portalin e SF1.

 

Gjatë periudhës nga viti 2005 deri më tash po vazhdonte një fazë provuese, gjatë të cilës shtetasit e vendeve të përmendura u nënshtroheshin disa kufizimeve në tregun e punës në Zvicër dhe kufizimeve tjera.

 

Ndërsa nga 1 maji e tutje ata janë të barabartë me shtetasit e vendeve të “vjetra” të BE-së, të cilët, siç dihet, janë plotësisht të barabartë në tregun e punës me zviceranët.  

 

Frika se pas hyrjes në fuqi të lëvizjes së lirë, do të ketë fluks të madh të pakontrolluar nga vendet e përmendura drejt Zvicrës, sipas Zyrës federale për Migracion është e paarsyeshme.

 

“Ne nuk llogarisim me një kërcim të menjëhershëm (të numrit të ardhjeve) ka sqaruar zyra në fjalë. Edhe SECO (Sekretariati për Ekonomi) qetëson opinionin duke thënë: përmasat e e ardhjes nga vendet e reja të Evropës Lindore varen nga ajo se sa rritet ekonomia e Zvicrës”.

 

Ndryshime serioze nuk presin as sindikatat. Konjunktur në vendet e përmendura, sipas sindikalistëve, është pozitive. Për këtë arsye njerëzit e atjeshëm munden të gjejnë punë edhe në vendet e tyre.

 

Punëtorët në Zvicër, me ardhjen e të huajve të rinj kanë frikë nga “dumpingu” i rrogave të tyre. Por, sipas përgjegjësve, rroga minimale është e siguruar dhe do të ketë masa mbrojtëse dhe kontroll të shtuar që dumpingu të mos lejohet.