Shkurt.ch

Zvicra ka afër 7.9 milionë banorë

22.5 për qind e banorëve të Zvicrës ose 1 milion e 766 mijë, në fund të vitit 2010 kanë qenë me shtetësi të huaj

Numri i banorëve të Zvicrës po i afrohet 7.9 milionëshit. Në të vërtetë, sipas statistikës më të re, të publikuar sot nga STATPOP në kuadër të Entit federal të Statistikës, në fund të vitit 2010 në Zvicër kanë jetuar 7 milionë e 866500 veta.

Kjo shifër është për 1 për qind, ose për 80700 veta më e madhe se ajo e një viti më parë.

Publikimi i ri ka zbuluar po ashtu se në Zvicër sot jetojnë pothuaj dyfish më shumë njerëz që kanë moshën mbi 100 vjeçare se sa para dhjetë vitesh. Nëse në vitin 2000 në Zvicër jetonin 787 pleq 100 e më shumë vjeçarë, në fund të vitit 2010 ishin 1300 të tillë. Kjo shifër është duke u dyfishuar që nga viti 1950 në çdo dhjetëvjetësh.

Struktura gjinore e popullatës vazhdon të jetë në favor të femrave. Në Zvicër jetojnë 4.0 milion femra dhe afër 3.9 milionë meshkuj. Por trendi po shkon drejt ndryshimeve. Kështu, te moshat mbi 60 vjeçe ka më shumë femra se meshkuj ndërsa te moshat nën 30 vjeç mbizotërojnë meshkujt, shkruan 20minuten.ch

22.5 për qind e banorëve të Zvicrës ose 1 milion e 766 mijë në fund të vitit 2010 kanë qenë me shtetësi të huaj. Një vit më parë kjo përbërje ishte 22 për qind.