Shkurt.ch

“Efekti Fukushima” ndryshon prioritetet e zviceranëve

CH: Tema e ambientit, nga vendi i gjashtë, ku ka qenë para katastrofës japoneze, është ngritur në vendin e parë të shqetësimeve

Një fenomen karakteristik pas katastrofës natyrore në Japoni dhe sidomos pas avarisë në centralin atomik të atjeshëm Fukushima, është kthimi i vëmendjes së zgjedhësve nga temat e mbrojtjes së ambientit.  Kështu “Efekti Fukushima” ka ndryshuar në tërësi radhitjen në listën e prioriteteve të zgjedhësve zviceranë.

Tema e ambientit, nga vendi i gjashtë, i fundit, ku ka qenë deri para katastrofës japoneze, është ngritur në vendin e parë në listën e  shqetësimeve të qytetarëve zviceranë. 47 % e të anketuarve kanë kryqëzuar mbrojtjen e ambientit si temën më problematike që duhej të shqetësonte politikanët.

Tema e migracionit, me 33%, ka rënë nga vendi i parë në vendin e dytë të shkallës së prioriteteve. Nëse kjo radhitje do të vazhdojë edhe deri në zgjedhjet parlamentare që mbahen në vjeshtë, mbetet të shihet. 

Instituti gfs.bern, sondazhin e ka realizuar nga 4 deri më 16 prill. Janë pyetur përmes telefonit 2011 persona me të drejtë vote që kanë vendbanimin e tyre në Zvicër. margjinat e gabimit në këtë sondazh, sipas institutit janë +-2.2%.