Uncategorized

Kantonet frankofone, më “dorëshlira” ndaj refugjatëve

"Kantonet frankofone, thjesht janë `më zemërgjera` ose më dorëshlira në sferën e ndihmave sociale” në krahasim me ato gjermane ose lindore

Sa më në perëndim që është kantoni, aq më pak ka refugjatë me status të njohur që punojnë. E kjo nënkupton se ata duhet të mbahen nga ndihmat sociale, gjegjësisht nga dora e shtetit.

Kështu, përderisa në kantonet lindore (gjermaofone) si Appenzell Innerhoden, Uri, Nidwalden etj. të punësuar nga kjo kategori janë 43.8% respektivisht 37.1 dhe 36.1, në kantonin frankofon të Gjenevës kjo shkallë është jo më shumë se 8.9%, shkruan tagblatt.ch. Nuk është shumë më e lartë shkalla e punësimit të kësaj kategorie as në kantonet tjera frankofone, transmeton albinfo.ch. Në Freiburg ajo shkon në 16.4% ndërsa asnjëri kanton frankofon nuk e mbërrin kuotën e 20 përqindëshit.

Mesatarja e të punësuarve nga refugjatët me status të njohur në nivel të Zvicrës është 22%.

Se nga vijnë këto dallime kaq të theksuara, sipas gazetës mund të shpjegohet pjesërisht me faktin se shkalla e papunësisë në përgjithësi në kantonet perëndimore është më e lartë se në ato lindore. Mirëpo nuk mendon kështu Marcel Suter, kryetar i konferencës së zyrave kantonale për migracion, ai thotë se “kantonet frankofone, thjesht janë `më zemërgjera` ose më dorëshlira në sferën e ndihmave sociale” në krahasim me ato gjermane ose lindore.