Lajme

Shkatërrohet Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, institucionet heshtin

Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit ka qenë shumë më e madhe, por për shkak të gërryerjeve të detit për shekuj me radhë pjesë e mureve dhe disa nga objektet e saj kanë përfunduar në det


Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, një nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, po shkon drejt degradimit. Sipas televizionit shqiptar “Report TV” kjo kala, përpos se i është nënshtruar shkatërrimit natyror, ai tashmë ndodhet jashtë çdo përkujdesjeje institucionale shtetërore.

Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit  ka qenë shumë më e madhe, por për shkak të gërryerjeve të detit për shekuj me radhë pjesë e mureve dhe disa nga objektet e saj kanë përfunduar në det.

Gërryerjet po vazhdojnë edhe sot madje me një intensitet më të lartë. Në dimër dallgët e detit përfs

hijnë sipërfaqen e kalasë deri ne 2-3 metra lartësi, duke gërryer edhe ato pak mure të mbetura. Deri me sot në Kalanë e Skënderbeut nuk është bërë asnjë lloj investimi. Mungojnë restaurimet e pjesëve të dëmtuara dhe punimet mbrojtëse nga erozioni i detit, raporton “Report TV”.

Sipas këtij televizioni, sikur të mos mjaftonte erozioni natyror, viteve të fundit janë vjedhur edhe shumë skulptura nëpër muret e kalasë.

“Edhe pse ka degraduar në këtë gjendje, bukuritë mahnitëse te Kepit të Rodonit dhe ky objekt historik me aq sa ka mbetur, po tërheq çdo ditë e më shumë turistë nga vende të ndryshme të botës. Por edhe atyre iu duhet të mundohen për të mbërritur deri këtu. Nuk ka rrugë të rregulluara. Për të arritur në Kalanë e Skënderbeut duhet të kalosh për 30 minuta në këmbë përmes një xhungle të vërtetë”, raporton “Report TV”.

Kepi i Rodonit është një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit një nga lumenjtë e vegjël të Shqipërisë. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin.

Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452. Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtër raguzianë të ndërtimit. Qëllimi i ndërtimit të kësaj kalaje nga Skënderbeu ishte sigurimi i një daljeje në Adriatik, i cili kontrollohej nga venedikasit.