Shkurt.ch

Në kërkim të sërishëm të binjakeve

Nga mëngjesi i sotëm policia kantonale e Vaud-it ka ndërmarrë një operacion të gjerë kërkimi të trupave të binjakeve nga St.-Sulpice

Nga zhdukja e binjakeve Alecia dhe Livia në fund të muajit janar 2011, misteri i mungesës së gjurmëve të tyre ende e mban të shokuar si dhe të indinjuar tërë opinionin zviceran dhe më gjerë.

Babai i tyre, i cili e kishte të vështirë ta pranojë divorcin me të shoqen, dyshohet të ketë kryer vepër makabre ndaj vajzave binjake. Në letrën e tij lamtumirëse që ia kishte drejtuar të shoqes, ai i kishte shkruar: «Vajzat nuk do t’i shohësh më. Ato pushojnë tani në paqe dhe se nuk kanë vuajtur». Ai kishte vrarë veten më 3 shkurt, duke u hedhur nën një tren në Cerignolla në Itali.

Operacioni i sotëm, ku janë të mobilizuar më shumë se 140 persona, bazohen nga një dëshmitar okular, i cili kishte parë më 30 janar një burrë duke tërhequr një valigje buzë plazhit Boiron, lokalitet që gjendet mes komunave Morges dhe St-Prex.

Nga zhdukja e tyre e deri tani një dispozitiv i rëndësishëm i policive si dhe njësiteve të specializuara në krime të Zvicrës, Francës dhe Italisë kanë bërë çmos për ta ndriçuar rastin dhe t’i gjejë binjaket e zhdukura.