Ftesa e parë për Jahjagën – nga presidenti Napolitano

Presidentja e Kosovës është ftuar për të marrë pjesë në manifestimin e shënimit të 150 vjetorit të Bashkimit kombëtar italian

Në kuadër të takimeve përshëndetëse, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga të mërkurën u takua me ambasadorin e Italisë në Kosovës, Michael L. Giffon. Gjatë takimit me ambasadorin e Republikës së Italisë, presidentja tha se të dy vendet kanë marrëdhënie shumë të mira në të gjitha fushat dhe u shpreh e bindur se Italia do të vazhdojë të mbështesë aspiratat e Kosovës në rrugën e integrimeve euroatlantike, si një synim i përhershëm i vendit tonë.

Ambasadori Michael L. Giffoni i përcolli Presidentes Jahjaga urimin e Presidentit të Republikës së Italisë, z.Giorgio Napolitano, me rastin e zgjedhjes së saj në krye në vendit. “Dëshiroj t’iu shpreh urimet e mia më të përzemërta për zgjedhjen Tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo sigurisht ka një vlerë të veçantë simbolike për të gjitha gratë e rajonit“.

Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano po ashtu i ka dërguar presidentes Jahjaga, një ftesë për të vizituar Italinë dhe për të marrë pjesë në manifestimin qendror të shënimit të 150 vjetorit të Bashkimit kombëtar italian.

Gjatë ditës së sotme presidentja e Kosovës është takuar edhe me ambasadorin e Gjermanisë, Hans-Dieter Stienbach, si dhe me ambasadorin e Francës, Jean-François Fitou. Në takimet me ambasadorët, presidentja Jahjaga falënderoi shtetet të cilat përfaqësojnë për ndihmën që kanë dhënë në periudha të ndryshme për shtetin e Kosovës.