Shkurt.ch

Kalon mocioni për kufizimin e numrit të të huajve

Mocioni kërkon nga qeveria masa për kufizimin e migracionit, për shkakun se, veç tjerash, ai "rrezikon identitetin e Zvicrës"

 

Dhoma e Kantoneve e Parlamentit Nacional, pas Dhomës Federale, ka votuar me shumicë votash për mocionin e paraqitur nga SVP, përmes të cilit kërkohet marrja e masave për kufizimin e migracionit në vend.

Sipas qëndrimit të prezantuar nga komisioni përkatës i parlamentit, migracioni, nuk po tregon shenja zvogëlimi, madje edhe në kohë krizash, shkruan 20Minuten.ch.

Nga ana tjetër, kundërshtarët e mocionit (nga SP) e kanë kritikuar atë si tepër të përgjithësuar dhe që ka lënë pa specifikuar masat përmes të cilave Qeveria Federale do të duhej të vepronte për të ndërprerë këtë trend. Deputetja e kësaj partie, Tschumperlin ka thënë se ardhja e të huajve në Zvicër përkon me realitetin ekonomik dhe se këtë e rregullon tregu.

Edhe ministrja e drejtësisë, Simonetta Sommaruga ka kundërshtuar mocionin, me argumentin se edhe sot migracioni është i kontrolluar dhe të huajt që vijnë nga shtetet jashtë BE-së dhe CEFTA-s, këtë e bëjnë vetëm përmes kontigjenteve. Ajo ka pranuar ndërkaq, se masa duhet të merren në integrimin e të huajve.

Deputeti që kishte bërë mocionin (Christoffel Brändli, SVP) atë e kishte arsyetuar me rritjen e çmimeve të patundshmërive dhe me ngarkesën që pëson infrastruktura nga shtimi i pakontrolluar i popullsisë.

Po ashtu, sipas tij, edhe shkollat po vuajnë nga migracioni, sepse integrimi i brezit të ri të të huajve po bëhet gjithnjë më i vështirë, gjë që po shkakton tensione. Brändli më tutje ka shprehur frikën se përmes “ardhjes së pakontrolluar të të hujave”, zviceranët kanosen me “humbjen e identitetit” të tyre.