Shkurt.ch

Bignasca: Të ngrihet muri në mes të Zvicrës dhe Italisë

Një mur që do të ndalonte hyrjen e të huajve në kantonin e Tesinës do të kushtonte vetëm 15 milionë franga, ka thënë ai

Politikani i njohur kontrovers i Zvicrës italiane, Giuliano Bignasca, kreu i partisë Lega dei Ticinesi njihet për deklarimet e tij provokative dhe shpesh problematike.

Pas fitores së realizuar në zgjedhjet për qeverinë dhe kuvendin e kantonit të Tesinës, Bignasca, duke folur për gazetën “Tages Anzeiger” ka lëshuar margaritarin e radhës. Ndërtim i i një muri prej disa kilometrash në mes të Zvicrës (kantonit të tij) dhe Italisë, do të ishte, sipas tij, zgjidhja më e mirë për të mbrojtur Zvicrën nga strehimkërkuesit që vijnë përmes Italisë.

“Një mur i tillë do të kushtonte vetëm 15 milionë franga”, ka arsyetuar Bignasca.

Mirëpo, kokëçarjet më të mëdha Bignasca dhe partia e tij, i ka me italianët matanë kufirit. Ata kalojnë kufirin për çdo ditë për të punuar në Zvicër. Në këtë mënyrë, sipas Bignasca-s, italianët jo vetëm që u marrin punën zviceranëve por edhe mundësojnë dumpingun e rrogave.

Partia “Lega…” ashtu si dhe SVP, shfrytëzon retorikën populiste kundër të huajve dhe njësoj me partinë në fjalë, është e vendosur kundër hyrjes së Zvicrës në BE. 

Edhe më parë, politikani temperament, Giuliano ka shkaktuar skandale të ndryshme. Ai ka qenë i dënuar për shkelje të ligjit mbi narkotikët, ka shtënë e armë në vend publik, etj.