Shkurt.ch

Sommaruga: refugjatët ekonomikë nga Afrika, kthehen prej nga kanë ardhur

Sommaruga ka deklaruar se Zvicra është e gatshme të marrë refugjatë nga Afrika e Veriut por refugjatët ekonomikë do të kthehen mbrapshtë

Ministrja zvicerane e drejtësisë dhe e çështjeve policore Simonetta Sommaruga ka mbërritur sot në Luksemburg ku po merr pjesë në një takim të ministrave të brendshëm. Takimi organizohet në margjina të Bashkimit Evropian, në një komision të përzier të vendeve të zonës së Shengenit, ku bën pjesë edhe Zvicra.

Temë e takimit është pranimi i refugjatëve nga zona e trazuar e Afrikës së veriut.

Sommaruga me të arritur në Luksemburg ka deklaruar për mediet se Zvicra është e gatshme të marrë refugjatë nga Afrika e Veriut por refugjatët ekonomikë do të kthehen mbrapshtë, shkruan 20Minuten.ch.

Komisaria e brendshme e BE-së Cecilia Malmström para fillimit  të mbledhjes ka shprehur qëndrimin e BE-së për ndarjen e balancuar të refugjatëve në vendet e BE-së dhe në Zvicër.

Ministrja zvicerane me këtë rast ka theksuar traditën humanitare të Zvicrës, e cila do të gjejë shprehjen e saj edhe në këtë rast. Ligji për azilin ofron mundësinë për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme për refugjatët nga zonat e luftimeve. Por, ka shtuar Sommaruga, pas përfundimit të luftimeve, ata duhet të kthehen në vendet prej nga kanë ardhur.

Ndërsa lidhur me refugjatët nga Tunizia, të cilët ia mësyjnë Evropës kryesisht për shkaqe ekonomike, ministrja zvicerane ka thënë se Tunizinë duhet ndihmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë që njerëzit e atjeshëm të kenë një perspektivë. Këtij vendi i duhen ofruar ndihma për luftimin e bandave të trafikantëve me qenie njerëzore. Kështu parandalohet mundësia që njerëzit nga Tunizia, në kushte rrezikshmërie të lartë të trafikohen për në Evropën perëndimore, prej nga megjithatë duhet të dëbohen, në mungesë të bazës për azil.