Shkurt.ch

Sigurimet shëndetësore kthejnë 1 miliard franga

Kjo është shuma që do t’iu kthehet të siguruarve të 8 kantoneve që kanë paguar më tepër

Këshilli Federal do të kthejë afër një miliard franga që janë marrë më tepër nga pagesat e të siguruarve për sigurime shëndetësore në 8 kantone të Zvicrës, njofton e përditshmja e Friburgut, “La Liberté”.

 

Kjo shumë ka rezultuar nga rritja e tepruar e rezervave në 8 kantone të Zvicrës, siç është kantoni i Vaud-it, i Gjenevës, Neuchâtel, etj. Nëse projekti pranohet nga Parlamenti, të siguruarit e 18 kantoneve të tjera do të duhet të paguajnë dallimin për pagesat e deritanishme të pamjaftueshme.

 

Personave të cilët kanë paguar një sigurim shëndetësor shumë të lartë vitet e fundit në krahasim me çmimet shëndetësore të praktikuara në kantonet e tjera, atyre do t’u kthehen paratë e tepërta të paguara. Dje, këshilltari federal, Didier Burkhalter, paraqiti mekanizmat me të cilët ai ka ndërmend t’i kthejë këto para. Ai po ashtu ka bërë të ditur se vetëm gjysma e tepricës, ose gjithsej 51% do të shlyhet.

 

Një miliard franga do t’u kthehen të siguruarve të tetë kantoneve prej vitit 2013, për një periudhë gjashtëvjeçare. Ndër kantonet në fjalë figurojnë Gjeneva, Vaud-i, Neuchâtel-i dhe Jura.

Më konkretisht, Vaudit do të duhej t’i kthehente 219 milionë franga, Gjenevës 228 millionë dhe Neuchâtelit 48 millionë.

 

Sipas Këshilltarit Federal Burkhalter: “Më e rëndësishmja është se ky sistem që ka qenë i lejuar për 15 vjet dhe i cili po bëhet gjithnjë e më i padrejtë të ndërpritet”.