Lajme

Bosnja në zi: përkujton masakrën e tmerrshme të Srebrenicës

Myslimanët nga Bosnja dhe nga gjithë Evropa kanë përkujtuar 11 korrikun e vitit 1995, kur forcat serbe vranë mizorisht 8 mijë burra boshnjakë. Në ceremoninë përkujtimore  ishte edhe deputeti i Kosovës, Albin Kurti

Sot, më 11 korrik gjithë bota demokratike ka kthyer sytë ka Srebrenca e Bosnjës dhe Herecegovinës, aty ku 21 vjet më parë, forcat serbe të udhëhequra nga gjenerali tashmë i akuzuar për krime lufte Ratko Mlladiq, vrau 8 mijë burra e të rinj myslimanë para syve të OKB-së. Kjo ishte masakra më e tmerrshme në Evropë pas Luftës së dytë Botërore. Disa nga viktimat akoma nuk janë zbuluar.

Që në fundjavë filluan ceremonitë përkujtimore në këtë qytet, kur të shtunën mijëra boshnjakë përcollën një kamion që qëndroi në Sarajevë gjatë rrugës për në Srebrenicë, me kufomat e 127 viktimave të tjera të identifikuara. Varrimi i viktimave u zhvillua sot, në ditën kur gjithë boshnjakët përkujtojnë 11 korrikun e vitit 1995, kur në praninë e forcave të OKB-së, ushtra serbe ekzekutoi 8 mijë myslimanë boshnjakë.

Ndërkohë pak ditë para përvjetorit të 21-të të masakrës së Srebrenicës, gazeta serbe e afërt me qeverinë “Novosti” shkruan se “në Srebrenicë nuk ka pasur -gjenocid” dhe se vrasja e 8000 burrave e djemve myslimanë ka qenë vetëm “një formë e hakmarrjes” për vrasjen e mëparshme të serbëve nga myslimanët, shkruan DW.

Gazetari serb e kryeredaktori i gazetës, Ratko Dimitrovic vëren se vrasja e banorëve serbë në rajonin e Srebrenicës ka më shumë elementë të gjenocidit, se masakra e Srebrenicës, më 11 korrik 1995. Edhe vendimi i Tribunalit të Hagës që e cilësoi masakrës si gjenocid nuk e ndryshon këtë fakt, shkruan ai në gazetën “Novosti.”

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Tribunali i Jugosllavisë e kanë kategorizuar masakrën e Srebrenicës si “gjenocid”. Vitin e kaluar një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të shpallur masakrën e Srebrenicës si gjenocid dështoi për shkak të vetos ruse. Ndërkohë njëri nga ideatorët e orkestruesit e masakrës kundër myslimanëve, Radovan Karaxhiç mori nga Tribunali i Hagës dënimin prej 40 vjetësh.

Ndryshe, në shënimin  kësaj ditë, ka marrë pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti. Sipas një njoftimi të VV-së, Kurti është ftuar nga Lëvizja e Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës, përkatësisht nga kryetarja Munira Subashiq, si dhe nga kryetari i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit, Murat Tahiroviq.

Sivjet, organizatorët boshnjakë i kanë shpallur të padëshirueshëm në Srebrenicë qeveritarët nga Serbia. Në Potoçari të Srebrenicës janë varrosur deri më tani 6.377 viktima dhe aty sot u varrosën edhe 121 të tjerë.

“Kurti mori pjesë në ceremoninë mortore, vizitoi shoqatat e familjarëve dhe bëri nderime te monumenti pranë varrezave e vendosi lule të freskëta në kujtim të të vrarëve. Ai shprehu solidaritetin e tij me të afërmit e viktimave dhe popullin boshnjak”, thuhet në njoftim.