Shkurt.ch

Vera 2016: Ku udhëtojnë zviceranët, e ku jo

Shifrat vijnë si befasi: përballë terrorit dhe pasigurisë, shumë zviceranë këtë verë nuk do të udhëtojnë në destinacione të njohura, të tilla si Egjipti, Tunizia dhe Turqia.
Këto të dhëna i ka siguruar SRF nga operatorët turistikë zviceranë Kuoni, Hotelplan dhe Tui Zvicër. “Prirja e rezervimeve është e qartë, drejt Perëndimit”, thotë Marcel Schlatter, zëdhënës në Kuoni.

Tre operatorët zviceranë kanë ardhur sivjet me oferta për në Mallorca. Po ashtu janë kërkuar Ishujt Kanarie, Qiproja dhe ishujt grekë, si Kreta dhe Rodos. Kuoni ka shënuar rritje të kërkesave për në Itali dhe Portugali. Hotelplan ka regjistruar kërkesa në rritje për Kroaci. “Numrat janë trefishuar”, thotë zëdhënësja Michèle Hungerbühler, përcjellalbinfo.ch.

Por, ka edhe përjashtime. “Tui” thotë se Turqia jugore është edhe këtë verë destinacion atraktiv për zviceranët. “Sidomos nga Zvicra perëndimore ne kemi një grup të konsumatorëve të rregullt, të cilët vazhdojnë të udhëtojnë në Tunizi”, thotë Michèle Hungerbühler nga Hotelplan.