Vera në Vendlindje
Mërgimtarët “harrojnë” rregullat e trafikut sa janë në Kosovë
Ekspertë të komunikacionit vlerësojnë se disa shoferë që vijnë në Kosovë nga diaspora tregohen shumë të papërgjegjshëm gjatë vozitjes së veturave të tyre. Por, për këtë, faji kryesor u vihet organeve të rendit Prishtinë
Arif Balaj ka ardhur këto ditë në Prishtinë. Ai do të qëndrojë deri në fund të korrikut, kur përfundojnë pushimet e tij.
Burri rreth të pesëdhjetave jeton në Londër. Veturën e tij me timon në të djathtë thotë se kur vjen në Kosovë kujdeset ta nxjerrë sa më rrallë nga garazhi.
“Trafiku shumë i dendur. Njerëzit këtu nuk kanë durim të presin qoftë një minutë në kolonë. Nuk respektohen shenjat dhe nuk të jep përparësi asnjëherë askush”, tregon ai për albinfo.ch.
Balaj të premten ka parkuar veturën e tij te parkingu poshtë Pallatit të Rinisë, për të vazhduar tutje në këmbë kryerjen e disa punëve në qytet.
Por, ai nuk ka fajësuar vetëm kosovarët për mënyrën e sjelljes në trafik.
“Edhe prej jashtë ne që vijmë këtu na duket ‘sallamadi’ dhe pastaj nuk respektojmë rregullat e trafikut”, thotë ai dhe qeshet.
Sjellja në komunikacion pa dyshim se është tregues mjaft i mirë i kulturës të një shoqërie.
Muhamed Krasniqi, drejtor i shkollës së lartë profesionale “Tempulli” në Prishtinë, thotë se sjellja në nivel e të gjithëve dhe qarkullimi i rregullt në trafik pos që reflekton kulturë, është edhe tregues i respektimit të rregullave të komunikacionit dhe të dispozitave ligjore.
Mërgimtarët, me sjellje të dyfishta në komunikacion
“Gjatë pushimeve, sidomos muajve të verës, kur rrugët tona vërshohen nga veturat e kurbetçinjve, të cilët vijnë në Kosovë, shpeshherë ndodh që disa prej tyre të mos jenë shembull më i mirë për sjellje të përgjegjshme dhe të kulturuar në komunikacion”, thotë Krasniqi për albinfo.ch.
Ai ka thënë se mërgimtarët vijnë në Kosovë nga shtetet ku në mënyrë absolute respektohet ligji, dhe sigurisht edhe ata janë respektuesit më të mëdhenj të ligjit në qytetet ku jetojnë dhe veprojnë.
“Asnjëherë nuk kam mundur të gjej përgjigjen për këto sjellje të dyfishta të disa nga këta shoferë, sjellja e të cilëve në qytetet ku punojnë dhe veprojnë është shembull për të mirë, ndërsa gjatë qëndrimit në Kosovë sjellja e tyre në komunikacion është shembull për të keq. Disa nga këta shoferë përveçse kanë shkaktuar aksidente në komunikacion, shpeshherë bëjnë edhe veprime të pahijshme në rrugë”.
Elbasan Kamberi, ekspert në Gjermani
Pak a shumë njëjtë mendon edhe Elbasan Kamberi, një instruktor në “Fahrchule Rausch” në Munchen të Gjermanisë. Por, 35- vjeçari me origjinë nga Presheva, ka treguar për “Albinfo.ch” se problemet që shkaktojnë në trafik mërgimtarët sa qëndrojnë në Kosovë mund të parandalohen me lehtësi nga organet shtetërore përgjegjëse të Kosovës.
“Shteti i ka fajet kryesore. Sepse shqiptarët këtu në Zvicër dhe Gjermani vozisin shumë mirë dhe respektojnë shenjat dhe rregullat e trafikut. Sepse ligji është i rreptë dhe nuk e fal askënd. Kurse në Kosovë ka tolerancë dhe të njëjtit njerëz sillen ndryshe”, thotë Kamberi.
Ai ka treguar se në Kosovë njerëzit që u mungon edukata në komunikacion sillen keq.
Të shtohen masat e ndëshkimeve, duke u ndaluar disa shoferëve ngasjen
“Liria që u jepet njerëzve në komunikacion në Kosovë keqpërdoret. Shoferi i edukuar sillet njëjtë, sikur kur nuk do ta gjobiste askush, sikur atëherë kur ka rregulla shumë rigoroze”, shprehet Kamberi, duke potencuar se ai në rend të parë kujdeset për sigurinë e tij dhe të familjes, e pastaj edhe të tjerëve që janë pjesëmarrës në komunikacion.
Kështu që ai insiston se në Kosovë duhet “shtrënguar” shumë më shumë ligjet.
“Po ia dha lirinë disa shoferëve dhe nuk kanë frikë, atëherë ata bëhen të tmerrshëm”, thotë ai. Kamberi ka thënë se nuk mjaftojnë vetëm gjobat materiale që vendosen. “Shteti mund t’ia ndalojë ngasjen e automjetit për më shumë se një muaj. Atëherë edhe shoferi edukohet”, thotë instruktor Kamberi.
Ai ka thënë se duhet respektuar standardet ligjore njëjtë edhe nga organet shtetërore. “E jo, dikë e gjobitë, dikë e lëshon për 10 euro, dikë e fal se e njeh përmes një personi të tretë. Para ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë”, shprehet ai.
Edhe drejtori i shkollës profesionale “Tempulli”, Muhamed Krasniqi, e thotë të njëjtën gjë.
“Kombinimi më i mirë për një lëvizje të sigurt në komunikacion është që të respektohet ligji dhe secili pjesëmarrës të jetë i përgjegjshëm për sjelljen e vet. Sjellja e përgjegjshme tregon nivelin e kulturës dhe pa dyshim rrit sigurinë në komunikacion”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai thotë se janë fëmijët ata që ndikohen prej sjelljeve të prindërve të tyre në trafik. “Dihet mirë se fëmijët janë kopjues mjaft të shkathtë dhe veprimet tona të përditshme i regjistrojnë menjëherë. Shpeshherë ata në shkollë, në shoqëri me moshatarët e tyre merren me këto çështje, duke u lavdëruar se si babai i tyre e ka zgjidhur apo e ka marrë një veprim në komunikacion. Ata asnjëherë nuk vlerësojnë veprimet e marra, sepse çdoherë veprimet e marra nga prindërit për ata janë më të mirat dhe më të zgjuarat”, thotë Krasniqi, duke folur për anën tjetër të pasojës së vozitjes së keqe.
“Heee, qysh e ka kaluar një automobil babi im, se veç ai di dhe mundet kështu!”, citon Krasniqi fjalitë që mund të dëgjohen shpesh prej fëmijëve.
Andaj, ai porosit sidomos shoferët që janë prindër, që përveç se të sillen mirë në trafik, edhe të bisedohet sa më shumë me fëmijët gjatë udhëtimit për sjelljen e drejtë dhe të sigurt në komunikacion.
Daut Hoxha është zyrtar për informim në Policinë e Kosovës. Ai ka thënë për albinfo.ch se Policia e Kosovës, duke pasur parasysh në veçanti sezonin veror, ka ndërmarrë veprime konkrete parandaluese dhe vepruese gjatë kësaj periudhe.
Daut Hoxha është zyrtar për informim në Policinë e Kosovës
“Vendin tonë gjatë kësaj periudhe e karakterizojnë aktivitete dhe organizime të ndryshme shoqërore, dasma e ahengje të ndryshme, e të tjera, pastaj me ardhjen e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë e punojnë në diasporë kemi një shtim të fluksit të njerëzve dhe automjeteve nëpër rrugët tona”, thotë Hoxha. Sipas tij, për garantimin e sigurisë së përgjithshme në vend, duke përfshirë edhe menaxhimin e kontrollit të trafikut rrugor, Policia e Kosovës ka hartuar një plan të veçantë operativ “Sezoni veror 2016”.
Ky plan, thotë ai, është proceduar në të gjitha drejtoritë rajonale policore për implementim.
“Qëllimi i urdhrit policor është shtimi i masave operative-policore, preventive për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në tërë territorin e Kosovës, ofrimi i një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët, bizneset dhe shoqërinë në tërësi, shtimi i masave të mbikëqyrjes dhe kontrollit të trafikut me qëllim të rrjedhjes normale, parandalimit te aksidenteve dhe shqiptimin e gjobave ndaj kundërvajtësve”, ka thënë Hoxha.
Policia nuk i ka të ndara aksidentet që shkaktohen nga mërgimtarët, apo ato që mund të jenë shkaktuara nga shoferët vendës.
“Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, sa i përket aksidenteve të trafikut, në veçanti ato raste me fatalitet gjendja mbetet tepër shqetësuese duke pasur parasysh që rritje e theksuar është evidentuar në muajin qershor 2016, ku kemi pasur 10 aksidente fatale me 11 persona të vdekur”. Përderisa, thotë Hoxha, edhe në total nëse krahasohet gjashtëmujori i parë 2015 me periudhën e njëjtë 2016, vërehet një rritje e aksidenteve në përgjithësi.
“Duke pasur parasysh që në sezonin veror kemi edhe shtim të fluksit të njerëzve dhe të automjeteve, ne apelojmë te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion rrugor që të jenë vigjilentë, të respektojnë rregullat që dalin nga Ligji mbi komunikacionin rrugor, t’u përmbahen shenjave dhe të kenë parasysh kushtet e rrugës nëpër të cilat qarkullojnë, në mënyrë që të kontribuojnë në shmangien e aksidenteve, në veçanti atyre me fatalitet që po shkaktojnë humbje të jetëve”, ka shtuar ai.
Sipas Hoxhës, në të kundërtën, Policia do të zbatojë edhe sanksionet e parapara ligjore për të gjithë ata që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore.
albinfo.ch
E-Diaspora
-
Bernë: Dorëzohet për votim nisma që kërkon lehtësim të natyralizimit “Aktion Vierviertel” ("Katër të katërtat) ka dorëzuar sot në Bernë “Nismën për Demokracinë”, në krye të...
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
Jeta në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025 Bazeli verior i Zvicrës do të mbajë një referendum të dielën për milionat e kërkuara për...
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha
-
Bernë: Dorëzohet për votim nisma që kërkon lehtësim të natyralizimit
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur