Shkurt.ch

SP me plan për mbylljen e centraleve atomike

Ky plan parasheh që, përmes masave urgjente, të nxirren sa më shpejt nga përdorimi tri centralet më të vjetra atomike të Zvicrës

Partia Socialdemokrate e Zvicrës ka prezantuar të hënën një plan të detajuar për braktisjen e shfrytëzimit të energjisë atomike.

Ky plan parasheh që, përmes masave urgjente, të nxirren sa më shpejt nga përdorimi tri centralet më të vjetra atomike të Zvicrës. Ndërsa dy të tjerat (më të reja) do të çkyqeshin pas kalimit të afatit të tyre të paraparë për punë. 

Sipas SP-së, rryma elektrike e prodhuar nga atomi, do të zëvendësohet nga energjitë e përtëritshme si uji, fuqia e erës, biomasa etj.

Llogaria e SP-së thotë se deri në vitin 2025 nga këto dhe burime tjera alternative do të mund të prodhoheshin plus 15`000 gigavat orë energji elektrike. Po ashtu, kjo parti thotë se mund të kursehej shumë edhe përmes shfrytëzimit më racional të energjisë ekzistuese elektrike. 

Planin e saj kundër-nuklear kjo parti do ta propozojë në parlamentin e Zvicrës në trajtë të një pakoje ligjesh.