Integrimi

Është dëbuar si 9 vjeçar, vazhdon të ëndërrojë për Zvicrën

Ishte dëbuar nga Zvicra si vogëlush 9 vjeçar. Një ngjarje që i ka ndryshuar jetën atij, e rrëfyer nga perspektiva e një fëmije

  • MINOLTA DIGITAL CAMERA

A.Z. ka lindur më 18 prill 1993 në Spitalin Kantonal të Wil-it, St. Gallen. Deri pak para ditëlindjes së tij të dhjetë ai ka jetuar me prindërit e vet dhe me motrën më të vjetër në Sirnach të Kantonit Thurgau. Por, më 7 mars 2003, nxënësi i klasës së katërt është shkëputur nga ambienti me të cilin ishte mësuar dhe është dëbuar me aeroplan në drejtim të Maqedonisë.

Kanë kaluar 13 vite që atëherë. Para se të dëboheshin, fëmijët nuk kishin qenë në vendlindjen e prindërve të tyre për më shumë se pesë vite.

“Ne nuk kishim mjaft para për të shkuar në Maqedoni”, thotë sot i riu 23 vjeçar. Ata duhej të mendonin mirë para se ta shpenzonin një qindarkë, blinin vetëm gjërat më të domosdoshme, fëmijët ndanin bashkë dhomën e vetme të gjumit dhe fjala “udhëtim” ishte zhdukur prej kohësh nga fjalori i tyre.

Ajo që A.Z. atëbotë nuk e dinte, ishte se së shpejti do të detyroheshin të udhëtonin, pa vullnetin e tyre, pa biletë kthimi dhe pa shanse për kthim të sërishëm.

“Shpeshherë më bie në mend ajo ditë”, thotë i riu biond e sykaltër, në dialektin e Zvicrës lindore: ka qenë mëngjesi i një të premteje. A.Z. me nënën dhe motrat e tij në banesën 3 dhomëshe, priste që të merreshin nga aty për t`u dëbuar. Motra dëneste pandërprerë, nëna përpiqej ta ngushëllonte, hynte dhe dilte vazhdimisht nga banesa, ndërkohë që vetë A.Z. rrinte ulur në kauç dhe priste se çfarë do të ndodhte më tutje. Babai kishte dy ditë që ishte dëbuar nga Zvicra. Pjesës së mbetur të familjes i ishte dhënë kohë për të paketuar valixhet. Dy fëmijët nuk kishin shkuar atë ditë fare në shkollë pasi që atyre u ishte kumtuar më herët me shkrim se më 7 mars 2003 duhej ta lëshonin vendin. Ishte kjo dita e fundit në vendlindje, e nxënësit nga Sirnach-u.

“Unë as sot ende nuk e kuptoj përse na patën dëbuar”

Rreth orës 8 cingëroi zilja në derë. “Ishte, mendoj unë, Policia për të Huaj. Një burrë dhe një grua”. Ai nuk mund ta kujtojë me saktësi. “Unë nuk e kuptoja fare se çfarë po ndodhte dhe çfarë do të thoshte kjo që ne tash duhej të shkonim në Maqedoni”. Pasi që dy policët ua bënë edhe njëherë me dije se familja duhej të lëshonte Zvicrën, ata u transportuan nga dy policët për në aeroport. Pas dy orësh fluturimi, ata aterruan në Shkup.

A.Z. nuk ka përgjigje për pyetjen se përse ishte dashur të merrej një masë e tillë e ashpër ndaj tyre.  “Nuk e di. Unë as sot ende nuk e kuptoj përse na patën dëbuar. Edhe prindërit vazhdojnë të pyesin: përse! Askush nga ne nuk ishte kriminel”. E vetmja arsye e mundshme ishte paaftësia për punë e babait. Ai, në vitin 1992 qe lënduar aq rëndë në një kantier ndërtimi sa që në moshën 43 vjeçare ishte bërë invalid.

“Ne mendojmë që dëbimi ynë qe bërë për interes të shtetit. Nëse ne jetojmë në Maqedoni, ata nuk na e paguajnë as një të tretën e shumës të cilën do të duhej të na e paguanin në Zvicër. Por nuk ka ndonjë dëshmi për ketë pandehmë.

Sot e atë ditë A.Z. jeton në një fshat me 5000 banorë, 15 kilometra nga Tetova. Ai kishte filluar të ndiqte shkollën fillore dy javë pas arritjes atje dhe përdorimi i shqipes letrare po i paraqiste vështirësi të veçantë.

“Unë nuk kuptoja shumëçka. Njihja vetëm dialektin dhe atë me theks zviceran. Më përqeshnin. Ishte vështirë por njeriu mësohet dikur”, thotë ai. Me shokët e tij në Zvicër mbante kontakte përmes komunikimit me email. Që nga heqja e vizave për shtetasit e Maqedonisë në vitin 2009A.Z. madje i viziton ata herë pas here për disa ditë ose edhe javë. Por, ndarja nga vendi dhe miqtë që pason, e godet secilën herë atë.

Pikëllim, mllef dhe dëshpërim te miqtë dhe familjarët

Hirmete Hasani, punëtore sociale nga Cyrih, e ka shikuar temën e dëbimit nga një këndvështrim tjetër. Në punimin e saj të masterit ajo ka hulumtuar përvojat e ndarjes në moshën e rinisë si pasojë e dëbimit të një personi të afërm.

“Fjala `Ausschafung` (dëbim) është një shpikje e zviceranëve gjermanishtfolës. Ky nocion popullor definohet si `zbatim i dëbimit me detyrim` por si kuptim nuk është në përputhje me definicionin që i bëhet në Ligjin për të Huajt”, sqaron Hasani.

Për të realizuar punimin, ajo ka anketuar të rinj dhe të rritur të cilët gjatë fëmijërisë ose rinisë së tyre janë detyruar të ndaheshin nga një person i afërt i tyre, si pasojë e dëbimit të këtij të fundit. Të gjithë të prekurit kanë rrëfyer se vendimi dhe zbatimi i vendimit për dëbim kanë ardhur shumë befasisht. Nisur nga gjendja faktike ose nga mungesa e njohurive juridike, të anketuarit e kishin shumë problem që ta kuptonin arsyen për vendimet e tilla. Veç kësaj, ndarja e menjëhershme linte pyetje të hapura. “Ata që mbeten, duan ta kuptojnë këtë vendim dhe kërkojnë edhe pas kaq vitesh një përgjigje të kuptueshme”, thotë Hasani.

Dhembja e ndarjes dhe pikëllimi i personave të prekur, tregohet ose në formë mllefi dhe agresiviteti ose me tërheqje dhe pasiguri, thotë ajo. Para së gjithash dëbimi i njërit prej prindërve ose vëllezërve e motrave është një ngarkesë e madhe për fëmijët dhe të rinjtë. “Kur dëbohet një pjesëtar i familjes, ndryshohen strukturat e roleve brendafamiljare. Ato thyhen dhe rishpërndahen”. Një situatë stërngarkuese kjo, të cilën personat e prekur duhet ta mundin krahas dhembjes për ndarjen.

Malli për Zvicrën

A.Z. rri në një kafene me emrin që tingëllon bukur “Melody”, në mes të Tetovës, një qytet i gjallë në rrëzë të malit madhështor të Sharrit dhe i vështron kalimtarët. Një grup gjimnazistësh, vajza me flokë të gjata të lëmuara dhe djem me çanta të vendosura shkujdesur mbi supe, kalojnë pranë nesh duke qeshur me zë. Studentët e ardhshëm me po aq pak shanse pune sa dhe A.Z. Diploma e tij e bacelor në administratën publike, e fituar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë atij nuk i ka siguruar akoma një vend pune. Shanse mund të kesh këtu vetëm nëse je i lidhur me partitë ose jep shuma të mëdha parash, thotë A.Z.  “Këtu nuk ka ardhmëri”, thotë ai, me ç`rast dëshpërimi i rri i shkruar në fytyrë. Edhe pse ai, pas 13 vitesh është mësuar me jetën në Maqedoni, ai me mendime është gjithë kohën në Zvicër. Si do të rridhte jeta sikur ai të mund të qëndronte në vendin ku kishte lindur (në Zvicër), pyet veten ai. Nga perspektiva e tij, dëbimi ka qenë i padrejtë dhe ka lënë te ai një ndjenjë që ende vazhdon, të poshtërimit. Megjithatë, ai thekson se sa shumë do të dëshironte që të kthehej ne Zvicër dhe të kishte mundësi të jetonte atje.

“Nuk është e mundur që unë të mos kem të drejtë të jetoj në vendin në të cilin jam i lindur. Unë kisha shokë atje. E njihja gjuhën në mënyrë të përkryer. Përse i bëhet një fëmije diçka e tillë?”. Por, ai e di se kurrë nuk do ta marrë një përgjigje. Për fund, ai ka madje edhe një lutje: “Ok, emrin tim nuk bën ta shkruash të plotë. Disi po më vjen turp”.