Uncategorized

Vijnë emigrantët, autoritetet kanë shtuar kapacitetet gjatë verës

për t’u ardhur në ndihmë shtetasve shqiptarë, duke nisur nga data 2 korrik 2016, zyrat e shërbimit të Gjendjes Civile dhe zyrat e aplikimit për dokumente identiteti do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë nga ora 08:00 – 16:00

Për përballimin e fluksit të rritur të kërkesave për pajisjen me dokumente identiteti (letërnjoftim elektronik dhe pasaportë biometrike), Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë dhe kompania “ALEAT sh.p.k” kanë shtuar kapacitetet maksimale gjatë muajve të verës kur vijnë emigrantët shqiptarë në pushime.

Ministria e Brendshme në Tiranë sqaron se për t’u ardhur në ndihmë shtetasve shqiptarë, duke nisur nga data 2 korrik 2016, zyrat e shërbimit të Gjendjes Civile dhe zyrat e aplikimit për dokumente identiteti do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë nga ora 08:00 – 16:00, raportojnë mediat në Tiranë, përcjell albinfo.ch

Gjithashtu, të gjitha zyrat e shërbimit të Gjendjes Civile gjatë ushtrimit të detyrës janë udhëzuar të qëndrojnë në detyrë derisa të marrë shërbim edhe qytetari i fundit në sportel.

1 korriku 2016 ishte afati i fundit i vlefshmërisë së pasaportave biometrike të lëshuara në periudhën prill 2009 – korrik 2010, me afat të pasaktë vlefshmërie për shtetasit shqiptarë nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit.

Për këtë arsye, Ministria e Punëve të Brendshme u kujton qytetarëve që kanë hasur problematikën e vlefshmërisë së gabuar të dokumentit biometrik, të aplikojnë sa më shpejt për pasaportat e reja, që të shmangin ditët e verës ku shtohet fluksi për shkak të ardhjes së emigrantëve.