Zvicra lejon hapësirën e saj ajrore për sulmet në Libi

Parakusht për këtë leje është që fluturimet të bëhen në kuadrin e rezolutës së OKB-së për Libinë

Qeveria Federale e Zvicrës, përmes Zyrës Federale për aviacion civil ka shpallur zonën ajrore të Zvicrës të lirë për forcat e huaja ajrore pjesëmarrëse në sulmet e aleatëve në Libi. Këtë e ka konfirmuar sot para medieve zëdhënësi i qeverisë, Andre Simonazzi.

Parakusht për këtë leje do të ishte që fluturimet të bëhen në kuadrin e rezolutës së OKB-së për Libinë. Rezoluta e OKB-së ka për qëllim të realizojë një zonë ndalimi fluturimesh mbi Libinë, për të mbrojtur popullatën e Libisë.

Qeveria Federale, bazuar në rezolutën e OKB-së tashmë kishte lejuar kalimin nëpër territorin zviceran të një konvoji prej 20 makinash ushtarake britanike.