Protestë për arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Në këto protesta u tha se EULEX-i ka devijuar nga misioni i vet dhe tash ka në shënjestër ish-luftëtarët e lirisë

Në 26 komuna të Kosovës sot në mesditë u mbajtën protesta kundër arrestimit të ish-pjesëtarëve të UCK-së nga ana e EULEX-it.

Protesta me e madhe u organizua në Prishtinë, ku më marshin protestues u dha porosia se ish-luftëtarët do të vazhdojnë me protesta për të shfaqur pakënaqësinë për arrestimin e tetë ish-pjesëtarëve të Brigadës 121 të UCK-së – “Komandant Kumanova”.

Organizatorët e protestave -Degët e Organizatave të Veteranëve, Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës së UÇK-së, njoftuan se më 29 mars sërish do të mbajt protesta të tilla nëpër 26 komuna të Kosovës.

Protestat gjithëpopullore në mbështetje të vlerave të luftës çlirimtare u mbajtën në Besianë, Burim, Dardanë, Deçan, Drenas, Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjakovë, Gjilan, Han i Elezit, Kaçanik, Kastriot, Klinë, Lypjan, Malishevë, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Prizren, Rahovec, Sharr, Shtime, Skenderaj, Therandë, Viti dhe Vushtrri.

Protestave i janë bashkuar edhe studentët e Universitetit të Prishtinës dhe rreth 200 organizata joqeveritare që përbëjnë Koalicionin për Demokraci.