Sport
Edhe hendbolli kosovar ka “zviceranët” e tij
Pas futbollit, Kosova furnizohet edhe me hendbollistë shqiptarë të rritur jashtë vendit. Albinfo.ch ka biseduar me dy “zviceranët” e Kombëtares së Kosovës në hendboll: Valon Dedaj dhe Sharr Ramadani
Humbja e të gjitha ndeshjeve me rezultate të thella në garat parakualifikuese për Kampionatin Evropian është një sinjal shqetësues që tregon situatën e rëndë në të cilën gjendet hendbolli kosovar. Pa një „infuzion“ të fortë nga jashtë, vështirë se do të mund të konsolidohet përfaqësuesja e Kosovës në hendboll në një të ardhme të afërt. Federata e Hendbollit të Kosovës ka nevojë të madhe për lojtarë profesionistë, siç janë dy shqiptarozviceranët që i janë bashkangjitur përfaqësueses së Kosovës në hendboll, Valoni dhe Sharri. Ata kanë lindur e janë rritur në Zvicër. Hapat e parë në hendboll i kanë mësuar në skuadrat zvicerane. Dy profesionistët sjellin një përvojë të madhe nga skuadrat e nivelit më të lartë të hendbollit zviceran dhe konsiderohen shtylla të forta të përfaqësueses së Kosovës në hendboll.
Albinfo.ch ka biseduar me dy hendbollistët shqiptarë të Zvicrës që janë vënë në shërbim të përfaqësueses së Kosovës. Ata flasin për jetën e tyre të hendbollit në Zvicër, përshtypjet e tyre, kushtet, organizimet e përfaqësueses së Kosovës dhe bëjnë bilancin e lojërave të humbura në garat për kampionatin Evropian. Të dy lojtarët, Sharr Ramadani dhe Valon Dedaj, aktualisht konsiderohen si më të mirët që ka përfaqësuesja e Kosovës. I pari luan në pozicionin e alo-s së majtë dhe shquhet për goditje të fuqishme me dorë të majtë ndërsa i dyti luan në qendër si organizator i shkëlqyer i lojës.
- Valoni, prej pesë vitesh pjesë e kombëtares së Kosovës
Valon Dedaj është 26 vjeç dhe hendboll luan që prej moshës 5 vjeçare. Ai ka mbi 20 vite përvojë në këtë sport. Me 16 vjet Valon Dedaj ka qenë pjesë e ekipit zviceran të nacional ligës A, St. Otmar në St. Gallen, mirëpo karrierën e tij e ka zhvilluar në STV Fortitudo në Gossau. Në ekipin nacional të Kosovës është golashënuesi më i mirë. Ai shënon në një turnir për çdo lojë mesatarisht nga 14 gola dhe llogaritet si lojtari më i mirë që ka përfaqësuesja e Kosovës. Vitin e kaluar është shpallur sportist i vitit në Kosovë. Prej Federatës së Hendbollit Zviceran ka marrë vazhdimisht ftesa që nga U17 deri më U21. Kurse kolegu i tij, Sharr Ramadani, ka debutuar për herë të parë në ligën nacionale A të hendbollit zviceran, ku ishte vetëm 17 vjet duke zgjuar interesimin e shumë skuadrave vendore dhe të federatës së hendbollit zviceran që i kishte dërguar ftesë për grumbullim. Me 26 vjet sot ai paraqitet në përfaqësuesen e Kosovës me rreth 10 vite përvojë loje në skuadra të nivelit më të lartë të hendbollit zviceran.
Dy lojtarët e përfaqësueses së Kosovës, Valoni dhe Sharri, karrierën hendbollistike e kanë zhvilluar në skuadra të Cyrihut dhe St. Gallenit. Por kur bëhet fjalë për mbrojtjen e ngjyrave të shtetit, ata kanë veshur fanellat e përfaqësueses më të re të hendbollit, Kosovës. „Fati e ka dashur që ne në fund të bëhemi pjesë e përfaqësueses së Kosovës“, thanë ata duke kujtuar lidhjet e ngushta shpirtërore që kanë me vendin e të parëve, Kosovën dhe familjarët që kanë atje. Mirëpo sado që njohin vendin e janë të lidhur me njerëzit atje e me mentalitetin, djemtë e rritur në Zvicër, nuk e kanë pasur lehtë të integrohen në përfaqësuesen e Kosovës.
- Një fillim me telashe në kombëtaren e Kosovës
„Fillimi ishte shumë i vështirë. Kishte shumë parregullsi, nuk kishte disiplinë dhe nuk luanin lojtarët që kishin ardhur për të luajtur, por ata që kishin ardhur për t’u dëfryer“, rrëfen Sharri. Bashkimin me përfaqësuesen e Kosovës nuk e kishte përjetuar mirë as lojtari më i spikatur që ka Kosova. Dedaj ishte ftuar nga FHK në vitin 2011 për herë të parë që të luajë në përfaqësuesen e Kosovës, por nuk i kishin krijuar hapësirë të mjaftueshme. Përkundër faktit se Valon Dedaj ishte ndër lojtarët më të përgatitur fizikisht dhe teknikisht që kishte Kosova, trajneri e linte atë rezervë. Më vonë kjo situatë kishte ndryshuar për të mirë për Valonin, por Kosova nuk po këndellej.
Humbjet e të gjitha ndeshjeve të përfaqësueses së Kosovës në garën për parakualifikim të Kampionatit Evropian, Valoni i shpjegon me mungesën e përgatitjeve fizike të shumë lojtarëve të grumbulluar. „Të ishin të gjithë lojtarët si Sharri dhe unë që ushtrojnë rregullisht, do të kishim fituar së paku brenda“, thotë ai. Në përfaqësuese ka mungesë të madhe të disiplinës, pjesa dërmuese e lojtarëve tjerë nuk japin maksimumin në fushë, ndonëse talenti nuk ju mungon, ankohet Dedaj. “Nuk është se ne jemi më të mirë, e plotëson Sharri Valonin, por kur ne grumbullohemi në përfaqësuese, shkojmë për të luajtur e jo për t’u argëtuar. Unë dhe Valoni kemi ambicie në hendboll, e ata jo. S’kanë besim që do të korrin sukses“.
Një pikë e dobët e përfaqësueses së Kosovës është mungesa e lojtarëve të gjatë që shoqërohet me mungesën e madhe fizike për të mbajtur tempon e kundërshtarit gjatë 60 minutave lojë, shprehet Sharr Ramadani. „Hendbolli në Kosovë është hobi, nuk është sport profesionist“ flet djali me prejardhje nga Ferizaj për mangësitë që ka vërejtur në hendbollin kosovar.
- Kur lojtarët me eksperiencë ndërkombëtare lihen në rezervë
“Një e metë tjetër që kemi vërejtur është se të ftuarit nga jashtë Kosovës janë lojtarë që kanë eksperiencë ndërkombëtare, por megjithatë përfundojnë në pankinën e lojtarëve rezervë, kurse në lojë hidhen lojtarë të papërgatitur fizikisht. Kjo ndodhë sepse kanë lidhje”, akuzon Sharri, i cili nuk është i kënaqur me trajtimin e lojtarëve të ardhur nga jashtë. Ai vetë, për herë të parë i është bashkangjitur përfaqësueses së Kosovës në tetor të 2014. „Kam shkuar të luaj për Kosovën, dy javë kam qëndruar atje dhe s’kam luajtur hiç“, shpreh zhgënjimin sot studenti i ekonomisë Sharr Ramadani.
„Në fillim organizimi ishte katastrofë“. Megjithatë, tani është më mirë dhe ne aktivizohemi”, shprehet Sharri që nuk e paramendon dot pushimin veror pa shkuar në Ferizaj. „Atje po kërkoj princeshën time të humbur“, thotë beqari i lindur në Uster të kantonit të Cyrihut, i cili është në kërkim të një vajze shqiptare. „Shkruaje se jam ë në kërkim të një vajze shqiptare“, përfundon hendbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Sharr Ramadani, bisedën me albinfo.ch.
Sharri: “Shkruaje se jam në kërkim të një vajze shqiptare”
Sharri nuk e paramendon dot pushimin veror pa shkuar në Ferizajn e tij. „Atje po kërkoj princeshën time të humbur“, thotë beqari i lindur në Uster të kantonit të Cyrihut, i cili është në kërkim të një vajze shqiptare. „Shkruaje se jam ë në kërkim të një vajze shqiptare“, përfundon hendbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Sharr Ramadani, bisedën me albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Në panairin BIOFACH 2025, produktet shqiptare në qendër të vëmendjes BIOFACH eshte panairi me i madh në botë për produktet organike i cili organizohet çdo vit...
-
Filharmonia e Kosovës shkëlqen në skenën e Bernës me Koncertin e Pavarësisë
-
Kinematografia shqiptare, në fokusin e festivalit italian Sudestival 2025
-
Vjenë: Mbrëmje letrare kushtuar “Letërsisë Gjermano-Shqiptare”
-
Për 17 vjet, diaspora dërgoi 13.7 miliardë euro në Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Gjithçka që ndryshon në jetën në Zvicër nga muaji prill Nga ligji i ri i sulmeve kibernetike te kërkesa për autorizimin e udhëtimit për Mbretërinë e...
-
Sigurimi i makinave do të bëhet më i shtrenjtë në vitin 2025
-
Zvicra jep dritën e gjelbër për marrëveshjen e furnizimit me gaz me Italinë dhe Gjermaninë
-
Filharmonia e Kosovës shkëlqen në skenën e Bernës me Koncertin e Pavarësisë
-
Zvicër: Pronarët e qenve në panik për vjedhjet e kafshëve shtëpiake