Shkurt.ch

Edhe koncernet elektrike, kundër energjisë nukleare

Për ndërtimin e centraleve atomike nevojiten vullneti i shumicës së popullit, vullnet ky që aktualisht mungon

Udhëheqjet e koncerneve të ndryshme zvicerane të energjisë elektrike po tregojnë shenja për ndërrimin e strategjisë lidhur me shfrytëzimin e energjisë bërthamore.

Sipas njeriut numër një të koncernit Axpo, Heinz Karrer, nga perspektiva e sotme ndërtimi i centraleve të reja bërthamore është i paimagjinueshëm.

Ai, në një prononcim për gazetën “SonntagsBlick” ka thënë se për një ndërmarrje të tillë do të nevojitej vullneti i shumicës së popullit, vullnet ky që aktualisht mungon.

Një votim popullor lidhur me këtë temë, i paralajmëruar për vitin 2013 me siguri që nuk do të zhvillohet, ka thënë ai.

Edhe kryetari i koncernit tjetër, BKW, Urs Gasche, në gazetën “SonntagsZeitung”  është shprehur për ndërrimin e strategjisë. Sipas tij, duke qenë se shoqëria ka treguar një refuzim të energjisë bërthamore,”ne duhet të tërhiqemi nga shfrytëzimi i kësaj energjie sapo të bëhet kjo e mundur”.