Lajme
Kosova e shqetësuar pas arrestimeve të EULEX-it
Edhe Presidenti Behgjet Pacolli ndau shqetësimin lidhur me akuzat e ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së me dyshimin për krime lufte
Qytetarët dhe institucionet e Kosovës janë të shqetësuar me arrestimet ë bëra ditë më parë të ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga ana e misionit evropian të sundimit të ligjit, EULEX-i.
Qeveria, në një deklaratë për media, sot ka vlerësuar se UÇK-ja dhe populli i Kosovës kanë zhvilluar luftë të drejtë, të pastër, ka respektuar normat dhe standardet ndërkombëtare.
“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se çdo përpjekje për njollosjen e luftëtarëve të UÇK-së do të dështojë edhe kësaj radhe. Qeveria e Republikës së Kosovës është e bindur se këto akuza do të vërtetohen si të pabazuara dhe të shpifura, për arsye se lufta çlirimtare e UÇK-së ka qenë në mbrojtje të vendit dhe popullit tone”, thuhet në deklaratë.
Presidenti Behgjet Pacolli ndau shqetësimin lidhur me akuzat e ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së me dyshimin për krime lufte. “Ne besojmë thellë se Lufta e UÇK ka qenë luftë e pastër, çlirimtare e popullit të Kosovës kundër një agresioni të egër me synime asgjësimi dhe gjenocidi. Ajo ka qenë dhe mbetet njëra nga faqet më të ndritshme të historisë sonë”, thuhet në deklaratën e presidentit Pacolli.
Gjatë ditës, studentët e Universitetit të Prishtinës kanë kundërshtuar arrestimet e pjesëtarëve të UÇK-së. Në mbrojtje të vlerave të Luftës së UÇK-së me shumë se një mijë studentë marshuan nga Mensa e Studentëve deri tek selia qendrore e EULEX-it, afër QKUK-së. Studentët mbanin pankarta në duar, duke kundërshtuar arrestimet e fundit të EULEX-it. Ata e cilësuan si të drejtë luftën që ka bërë UÇK-ja.
Ndërsa në “Sheshin e Dëshmorëve” në Malishevë u mbajtën protesta kundër arrestimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga kjo komunë. Protesta ishte organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se arrestimet e EULEX-it janë një shërbim i radhës për Serbinë në negociata dhe se “nëpërmjet kësaj strategjie EULEX i po mundohet ta diskreditojë Kosovën si dhe t’i japë përparësi morale Serbisë”. Nëpërmjet një komunikate për media, Vetëvendosjen ka bërë të ditur se “është i papranueshëm vetë EULEX-i si instancë e padrejtë dhe e panevojshme ekzekutive përmbi institucionet e Republikës së Kosovës të cilave u mohohet ushtrimi i sovranitetit”.
Ndërsa ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Çeku, arrestimin e të luftëtarëve të UÇK-së e ka quajtur përpjekje të sponsorizuar nga Serbia për ta njollosur luftën e shenjtë dhe të drejtë të UÇK-së.
“Në radhë të parë si qytetarë i Kosovës, si ish-shef i shtabit të përgjithshëm i UÇK-së dhe si çdo qytetar i Kosovës, ndjehem i shqetësuar për faktin që po vazhdon ngritja e aktakuzave për ish-luftëtarët e UÇK-së. Po vazhdojnë përpjekjet të sponsorizuara nga Serbia për ta njollosur luftën tonë të shenjtë, të pastër dhe të drejtë të UÇK-së”, ka thënë Çeku.
Ndryshe, EULEX-i nuk i ka shqiptuar asnjë masë ligjore deputetit Fatmir Limaj, ndaj të cilit u lëshua fletëarresti nën dyshimet se ka kryer krime lufte. Avokati i tij Tomë Gashi, bëri të ditur se sot Limaj mund të paraqitet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinës.
Në anën tjetër, EULEX-i, përmes një deklarate të shkruar, i tha Evropës së Lirë, se “mbrëmë një prokuror i EULEX-it ka biseduar me zotin Fatmir Limaj rreth statusit të tij si deputet”, por nuk janë dhënë detaje tjera.
Ky mision ka bërë të ditur se “nga tetë të arrestuarit ditën e djeshme nën akuzat për krime lufte, pesë kanë mbetur në paraburgim për 30 ditë, dy të pandehur në arrest shtëpiak dhe një i pandehur është urdhëruar të paraqitet në polici tri herë në javë”.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra