Shkurt.ch

Zvicra jep 12 milionë franga për Afrikën e Veriut

Prioritet aktualisht kanë ndihmat mjekësore, furnizimi me ujë dhe strehimi i migrantëve në kufirin Libi-Egjipt

Qeveria e Zvicrës i ka ofruar 12 milionë franga si ndihmë për Afrikën e Veriut. Veç ndihmave materiale është planifikuar po ashtu edhe dërgimi i 14 personave nga Trupat Zvicerane për Ndihma Humanitare (trupë speciale, e trajnuar për raste krizash).

Sipas Departamentit Zviceran për Punë të Jashtme, në qendër të interesimit aktualisht janë ndihmat mjekësore, furnizimi me ujë dhe strehimi i migrantëve në kufirin Libi-Egjipt.

Krahas ndihmave emergjente, qeveria është zotuar të ofrojë edhe ndihma afatgjata për të mbështetur zhvillimin demokratik të vendeve të trazuara të Afrikës së Veriut. Në këtë drejtim, Zvicra mund të dërgojë atje vëzhgues të zgjedhjeve dhe të mbështesë projekte për forcimin e shoqërisë civile.