Lajme

Qeveria miraton buxhetin, pritet rritja e rrogave

Në mbledhjen e Qeverisë nuk është folur fare nëse FMN-ja është pajtuar me këtë rritje të rrogave

 

Në mbledhjen e Qeverisë nuk është folur fare nëse FMN-ja është pajtuar me këtë rritje të rrogave.

 

Projekt-buxheti është miratuar unanimisht në Qeveri. Projekt-buxheti, që është 1.4 miliard, do të shkojë për miratim edhe në Kuvendi javën e ardhshme.

Por, mësimdhënësit kosovarë, të cilët presin që nga muaji i ardhshëm të marrin rritje të rrogave prej 50 për qind, do t’i kundërpërgjigjen kryeministrit Thaçi, nëse nuk realizon premtimin.

 

Për realizimin e këtij premtimi të dhënë edhe para hedhjes së votës të qytetarëve në kutitë e votimeve në zgjedhjet e dhjetorit, dhe pas zgjedhjeve, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka përcaktuar një afat kohor, përmes të cilit është zbutur tensionimi i situatës në arsimin parauniversitar, i shfaqur ditë më parë.

 

Këshilli i Përgjithshëm i SBASHK-ut ka konstatuar se në mes të mësimdhënësve të Kosovës ekziston një atmosferë e rënduar dhe një frustrim në pritje që të vihet në jetë marrëveshja e Qeverisë për ngritjen e pagave, sipas marrëveshjes së 6 janarit të këtij viti 2011.

Në mbledhjen e djeshme, Qeveria e Kosovës e ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2011, ndërsa në këtë projekt-buxhet përfshihet edhe rritja e rrogave, ashtu siç ka qenë vendimi i kryeministrit Hashim Thaçi, edhe përkundër kundërshtimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).