Sport

Zvicra dhe Shqipëria, dy fate të lidhura me Euro

Me gjashtë lojtarë me origjinë shqiptare në ekipin e Zvicrës dhe shtatë me kombësi të dyfishtë në atë të Shqipërisë, të dy ekipet do të përballen më 11 qershor në Lens dhe janë tepër të lidhura për t’u shikuar si kundërshtarë. Gjatë Euro 2016 e përditshmja Le Temps do të përcjellë ekipet paralelisht me të njëjtin interesim.

Pas ndeshjes së hapjes, ekipi zviceran i futbollit do të fillojë Euro 2016 të shtunën, më 11 qershor, në Lens kundër Shqipërisë (15:00). Ndeshja e Grupit A  është prezantuar si  “një derbi” nga trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkoviç dhe si një ndeshje mes “Albania A dhe Albania B” nga ata që dëshirojnë të tallen. “Shqipëria do të ketë dy ekipe në Euro”, ka shkruar Blick, duke iu referuar përqindjes së lartë të lojtarëve me origjinë shqiptare në ekipin zviceran. Në Francë ata do të jenë gjashtë (prej njëzet e tre): zëvendëskapteni Valon Behrami, mesfushorët Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Blerim Xhemajli, si dhe sulmuesit Admir Mehmedi dhe Shani Tarashaj.

Gjashtë nga njëzet e tre është një më pak se numri i zviceranëve … në përzgjedhjen e ekipit shqiptar. Janë shtatë në ekipin e kundërt  që mund të ngrenë të dy pasaportat. Kjo përzgjedhje e re, e cila merr pjesë për herë të parë në finalet e një konkurrence të madhe ndërkombëtare të futbollit, rekruton kryesisht në mesin e diasporës. Fëmijët e emigrantëve apo refugjatëve, të cilët janë rritur dhe edukuar në Gjermani dhe sidomos në Zvicër.

Në listën e hartuar nga trajneri Italian, Gianni De Biasi, kemi gjithashtu dhjetë lojtarë, të cilët janë rritur në Zvicër, si kapiteni Lorik Cana (formuar në Lozanë), Ermir Lenjani (Winterthur) Burim Kukeli (Solothurn). Në mesin e këtyre dhjetë lojtarëve, shtatë janë me kombësi të dyfishtë; Naser Aliji (me prejardhje nga Baden), Taulant Xhaka (Basel), Shkëlzen Gashi (Zurich). Dhe të katër edhe kanë lindur në Zvicër: Arlind Ajeti në Basel, Freddie Veseli Renens, në Lozanë Migjen Basha dhe Amir Abrashi në Bischofszell. Dhe në fund, dy lojtarë ta paseleksionuar, Berat Djimsiti (lindur në Cyrih) dhe Vullnet Bashnet (i lindur në Lozanë), do kishin mundur të rrisin numrin e kësaj liste.

Ky fenomen nuk është gati për t’u ndërprerë. Në ekipet e të rinjve në Zvicër, emrat shqiptarë mund të përfaqësojë 30 deri në 40% të gjeneratave të reja. Shtetasit e dyfishtë të pranishëm në Francë kanë veshur pothuajse fanellën e ekipit të Zvicrës në ekipet e të rinjve M17, M18, M19, nganjëherë edhe deri në M21, para se të kthehen për Shqipërinë. Më shumë për shkak të peshës  së interesave sportive se sa konsideratave identitare. Dy rastet më ekstreme janë ato të Vaudit me Frédéric Veselin, i lindur në Renens, kapiteni i M17 zviceran kampionë botëror në vitin 2009 së bashku me Ricardo Rodriguez dhe Haris Seferovic, dhe natyrisht Taulant Xhaken (vëllai i Granitit) shumë i mediatizuar i cili do të luan kundër vëllait të tij me 11 qershor.

Nëse Shqipëria ka dy ekipe në Euro, atëherë edhe Zvicra ka dy ekipe!

Përballë kësaj situate, gazeta Le Temps vendosi të bëjë të kundërtën e cinizmit dhe talljes. Nëse Shqipëria ka dy ekipe në Euro, atëherë edhe Zvicra ka dy ekipe! Prandaj, ne do t’i trajtojmë të dy vendet njëkohësisht dhe me të njëjtin interesim. Së bashku me platformën e informacionit Albinfo.ch, ne do t’i përkushtohemi të gjitha aspekteve të kësaj  pjesëmarrjeje historike të Shqipërisë, si dhe pasojave të saj në Zvicër: ndikimi në procesin e integrimit, modelet e ushqyera me shembujt e Shaqirit dhe Behramit, si dhe presionet që mund shtypin nganjëhërë futbollistët e rinj, shkathtësistë e tifozëve për të ndjekur ekipin e tyre. Portreti i shqiptarit të parë që ka luajtur për Zvicrën, përshkrimi i rrethit familjar tipik, origjina dhe kuptimi i këtyre emrave të njohur tashmë, por që kanë mbetur ende misterioz: kaq shumë raste për të njohur më mirë, për të kuptuar më mirë, dhe për të pranuar më mïrë.

Do të ishte qesharake të pretendosh se një ekip kombëtar përfaqëson (dhe edhe më pak se sa duhej të jetë) proporcionalisht popullsinë e një vendi. Një ekip mund të pasqyrojë së paku shpërndarjen e varfërisë dhe pabarazisë sociale. Përkundrazi, përbërja e një ekipi imponon një realitet: këta fëmijë të shteteve të Ballkanit janë me ne dhe synojnë që të jetojnë si ne. Sot, askush nuk llogarit  numrin e emrave italianë apo spanjollë në skuadrën e Zvicrës. Pra, më mirë të ndërprejmë këtë numrim me shqiptarët, sidomos kur dimë se vala e ardhshme veç se është gati. Ka pesë lojtarë të lindur në Afrikën sub-Sahariane në listën e 23 të zgjedhurve zviceranë. Një rekord.

letemps5
Shkrim i botuar në gazetën Le Temps, në bashkëpunim me Albinfo.ch