Karriera në Ballkan
Mjeku që la perëndimin dhe iu kthye Kosovës
Derisa mbi 70 përqind të mjekëve të anketuar kanë thënë se synimi i tyre është që të gjejnë një vend pune në ndonjë klinikë jashtë Kosove, Dr. Armend Sadiku gjithë dijen dhe pasurinë që ka fituar nga puna në klinikat e Gjermanisë i ka investuar në Kosovë, ku po synon të rifillojë një jetë të re
Për asgjë në jetën e tij nuk është bërë pishman. As për faktin që gati një vit ka lënë klinikat me renome botërore, për t’u kthyer në shërbim në vendin e tij në Kosovë, vend ky ballkanik ku për kokë banori në dhjetë vitet e fundit është investuar më së paku në shëndetin e qytetarit.
I ri në moshë, i specializuar dhe subspecializuar në klinika të mëdha gjermane, Dr. Armend Sadiku rrëfen ekskluzivisht për “albinfo.ch” arsyen që atë e ktheu në Kosovë. Këtë e bëri pas mbarimit të subspecializimit në gjinekologji dhe obstetrikë dhe subspecializimit në fushën e kiirurgjisë minimal-invazive, derisa numër i madh i mjekëve kosovarë, pas diplomimit kanë mësyrë perëndimin, për një punë dhe jetë më të mirë.
“Fakultetin e Mjekësisë e kam filluar në Kosovë. Kam ndjekur tre semestra në Universitetin e Prishtinës, e vetëm pastaj kam vazhduar në Universitetin e Mjekësisë në Grac të Austrisë”, rrëfen dr. Sadiku. Ai ka diplomuar në Vienë, ku u promovua me titullin doktor i mjekësisë, derisa tash është shqiptari i vetëm i certifikuar prej shoqatës së endoskopistëve gjermanë, për operacione të rënda laparaskopike.
Nxënës i Dr. Holthaus, njërit prej dhjetë kirurgëve më të mirë minimal-invaziv në botë
Për dhjetë vite, nga maji i vitit 2005 deri në mesin e vitit 2015, Armendi ka mbaruar specializimin dhe subspecializimet në katër klinika me renome gjermane, atë të Neubrandenburgut, Bremenit dhe në Klinikën e Osnabrueck dhe atë në Damme. Kjo e fundit, e njohur sipas doktorit, për kryerjen e intervenimeve më të sofistikuara të kirurgjisë minimal-invazive në gjinekologji. Këtu, thotë se ka marrë mësimet e Dr. Bernd Holthaus, njërit prej dhjetë kirurgëve më të mirë minimal-invaziv në glob.
“Në Klinikën e Gjinekologjixsë dhe obsetrikës në Damme, pas përfundimit të specializimit u emërova shef i repartit, ndërsa një vit më vonë zëvendës i Dr. Holthaus”, rrëfen shqiptari nga Kosova.
Ai tregon se qysh kur ishte nisur nga Kosova, kishte mendimin që të kthehej dhe t’i kontribuojë vendit. “Ky ka qenë qëllimi qysh prej shkuarjes time. Ani se një sfidë tashmë ishte subspecializimi”, rrëfen Sadiku. Megjithkëtë, thotë se ishte fat i madh që ai ishte një nxënës i Dr. Holthaus. “Kështu që, pasi mbarova specializimin dhe subspecializimin, kam ardhur këtu me vullnet që t’i sjell këtij vendi metodat e sofistikuara të kirurgjisë minimale-invazive. Këtu ka deficit të trajtimit me këto metoda”, thotë doktori, që tashmë ka filluar punën në një qendër diagnostike për gjinekologji dhe obsetrikë në qendër të Prishtinës. Ndërsa, intervenimet minimal-invazive ka filluar t’i kryej tash e disa muaj në një spital privat në Prishtinë. “Është e rëndësishme që pacientët tashmë në Kosovë kanë mundësi të marrin atë shërbim që ne e kemi ofruar në Gjermani. Nuk ka absolutisht kurrfarë ndryshimi në ofrimin e shërbimeve”, thotë doktor Sadiku. Një gjë i ka ndihmuar shumë, që të adaptohet në rrethanat kosovare. “Unë asnjëherë këtu nuk jam ndjerë si diasporë, por si në vend timin. Por, këtu jam unë ai nga i cili pritet ndryshimi. Dhe atë ndryshim e kam sjellë”.
Stafi me të cilin punon ai është një staf jashtëzakonisht i vogël. “Si popull pak na mungon vetëkritika. Megjithatë, stafi me të cilin punoj i është përshtatur pa asnjë problem standardeve të punës që janë të vendosura për të gjithë”.
Operoi “live” para 1500 kolegëve të tij
Megjithatë, doktori thotë se nuk e ka problem të punojë edhe me staf shumë më të gjerë, pjesëtarët e të cilit janë të gatshëm t’u përshtaten standardeve profesionale gjermane, të përcaktuara për gjinekologji minimal-invazive. Në vitin 2013, ai kishte kryer madje një operacion “Live” para 1500 gjinekologëve nga gjithë Evropa, në një kongres të organizuar nga Shoqata Evropiane e Gjinekologëve Endoskopistë. “Kjo ka qenë ndjenjë e veçantë. Të kryesh një operacion para mijëra kolegëve tu. Vërtetë ndjenjë shumë e mirë”, rrëfen doktori, tek tregon me dorë certifikatën e vendosur në mur, të marrë pas këtij intervenimi ‘live’.
Por, derisa Sadiku ka gjetur veten në Kosovë, ai këshillon edhe mjekët e rinj që kanë synim të ikin në perëndim që atë dije të cilën e marrin në vendet ku kryejnë specializime dhe punojnë, ta rikthejnë në Kosovë.
73% e mjekëve duan të dalin jashtë Kosovës!
Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë në QKUK ka thënë se nga një pyetësor që ka bërë sindikata me 1000 të anketuar, ka rezultuar se 73 për qind e tyre dëshirojnë të ikin jashtë vendit. Selmani ka thënë për “Albinfo.ch” se mosha mesatare e mjekëve në Kosovë, ndërkaq është 50 vjeçare. Sipas tij, problemet do të vërehen në dhjetë vitet e ardhshme, kur mjekët do të pensionohen kurse pjesa dërmuese e kuadrove mjekësorë nuk shohin perspektivë në Kosovë por jashtë vendit. Fusha më e ndjeshme sa i përket kuadrove vazhdon të jetë anesteziologjia. Nehat Baftiu, drejtor i Anestezionit në QKUK në Prishtinë ka thënë për “albinfo.ch” se vetëm gjatë vitit 2015 nga Kosova kanë ikur pesë specializantë të anestezionit, duke theksuar kështu edhe më tepër mungesën e kuadrove të kësaj lëmie. Ndërkohë, në Kosovë janë të pa punë 82 mjekë të specializuar në profile të ngushta mjekësore përfshirë edhe nëntë stomatologë.
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriArmend Sadiku
- Prejardhja:Gjermani
- Vendi ku vepron:Kosovë
- Profesioni:Gjinekolog
Të tjera nga Karriera në Ballkan
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur Nga e enjtja e tutje me gjasë do të ketë shumë borë në pjesë të mëdha...
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?