Integrimi
Dani, në mes të aktrimit dhe “Baushtellit”
Ramadan Morina njihet si aktor dhe moderator programesh artistike të komunitetit shqiptar në Zvicër e Gjermani. Por të pakët janë ata që e njohin edhe si një “artist” të buldozerit e të kazmës!
Në skenë e shohim me kravatë, me kostum elegant dhe e dëgjojmë tek flet me elokuencë e me një fjalor të zgjedhur. Pak kush e di se ai, herë aktori e herë moderatori i shkathtë, vetëm ndonjë orë më parë ka qenë, si thuhet “deri në fyt në baltë”, apo duke “u hëngër” me buldozerin, duke hapur një kanal ose duke rrafshuar dheun në një kopsht. Ky është artisti që prej njëzet vitesh i ka mbetur besnik publikut të komunitetit shqiptar në Zvicër e në Gjermani dhe buldozeristi i talentuar, siç e quan veten fare pa modesti, Ramadan Morina. Janë të rralla aktivitetet që zhvillohen në Zvicrën gjermane, nga St. Galleni deri në Bernë, dhe sidomos ato në regjionin Cyrih-Winterthur, në të cilat ai nuk e derdh sharmin e tij prej aktori e moderatori të talentuar. Është evidente se si një “auslander i dyfishtë” (pasi që jeton në Gjermani, ku po ashtu është i huaj), Dani më shumë identifikohet me Zvicrën, gjegjësisht me komunitetin e këtushëm shqiptar, i cili është më aktiv dhe më i përqendruar, në krahasim me atë në Gjermani.
I lindur para 42 vitesh në një fshat të Vogël të Komunës së Rahovecit, Ramadan Morina shkollën e mesme e ka mbaruar në Gjakovë. “Me sukses të shkëlqyeshëm, dhe për këtë i kam dëshmi, dëftesat shkollore”, shton ai, shumë serioz J . Pak pasi ka regjistruar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë (Dega Gjuhë dhe letërsi Shqipe), në shkurt 94 ki është dashur ta ndërpriste dhe të emigronte në Gjermani. “Këtu, për 8 vite kam pasur statusin `Duldung` (një status qëndrimi të përkohshëm) ndërsa në vitin 2002 kam fituar lejeqëndrimin e përhershëm (pasi që punëdhënësi ka arsyetuar pazëvendësueshmërinë time”, e kthen në shaka “Dan Sakica”, i njohur në komunitetin e këtushëm për humorin e tij të lehtë.
Fillimet e angazhimit të tij në aktrim datojnë nga fëmijëria. “Ndërsa gjatë shkollës së mesme në Gjakovë jam marrë me teatër, kryesisht me skeçe dhe organizimin e mbrëmjeve kulturore që mbaheshin në Kuadër të konviktit”, kujton ai.
Në mërgim fillon të merret më intensivisht me aktrimin
Mirëpo thellimi i marrëdhënieve të tij me teatrin ndodhi me ardhjen në Gjermani. “Në mars të vitit 94 (Afër të 20- tave) kam filluar angazhimin në jetën kulturore në Konstanz -Singen (në afërsi të kufirit me Zvicrën) në kuadër të klubeve përkatëse shqiptare në këto qytete. Atëbotë, në bashkëpunim me skulptorin Mal Myrtaj kishim themeluar Teatrin e të rinjve “Ndrekë Luca”. Shfaqjen e parë që e kam luajtur në Gjermani ishte “Lulja dhe Shega”, në vitin 1995. Më pas kemi përgatitur edhe shfaqjet si: “Vëllezëri dhe Interes” (roli i Ballaurit) “Akraballëku” (Strumbullari), “Amaneti i Plisit” (Babai) si dhe shumë skeçe dhe moderime të ndryshme. Të gjitha këto aktivitete i kemi zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Mal Myrtajn por edhe Rrustem Selcën. Ky i fundit, si balerin me përvojë, më ka mbështetur me shumë këshilla skenike”.
Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, e jetës së Danit në Gjermani. Ajo është si me thënë ana e ndriçuar nga reflektorët e skenës dhe që i takon kohës së lirë. Ndërsa pjesën më të madhe të kohës ai, patjetër do ta kalonte në punë fizike, për të mbajtur familjen. Dhe këtu është e veçanta e rrëfimit të tij jetësor…
“Nuk turpërohem nga puna fizike”
“Natyrisht se gjatë gjithë kësaj kohe unë kam punuar vazhdimisht si një `profi në baushtell` ku jam dalluar me punën me buldozer dhe me kazmë`, flet dhe qeshet Dani. Dhe e pranon: “shpesh ka ndodhur (ndodh akoma) që në ushtrime të shkoja me rroba pune, për çka kurrë nuk jam turpëruar. Që nga viti 2012 jam i pavarur dhe në firmë kam të punësuar edhe një punëtor shqiptar. Me punën që bëj mbaj familjen, gruan me 4 fëmijët si dhe ndihmoj për aq sa mundem edhe familjen e gjerë në Kosovë”.
Por ku e gjen kohën dhe energjinë që për gjithë këto vite të angazhohet në kaq shumë fronte? “Energjia për tu marrë me teatrin, edhe pse ndodh që të kem javë me mbi 50 orë punë fizike, rrjedh nga dashuria që kam për skenën. Por edhe nga fati që jam i rrethuar nga shumë miq të dashur që më shtojnë vullnetin për punë rreth teatrit. Harmonia dhe sinqeriteti vazhdojnë të na mbajnë bashkë, edhe pse me shumë vështirësi”, shprehet Morina, duke iu referuar punës në teatër me kolegët e tij shumëvjeçarë.
Mirënjohje e thellë për “Zyshen” Liri Lushi
Që angazhimi i tij teatror të mos mbetej në suaza të amatorizmit, Ramadani ka qenë gjithmonë i etur të plotësojë njohuritë e tij profesionale për punën në teatër. Dhe kjo mundësi atij iu paraqit në vitin 2005. “Në fundvitin 2005 jam paraqitur për audicion në Studion “Aleksandër Moisiu” në Cyrih që drejtohej nga Liri Lushi. Pasi që pranohem, aty unë kam pasuruar për dy vite e gjysmë përgatitjen time në fushë të teatrit. Për këtë, i mbetem përherë mirënjohës “Zyshës” sime, Liri Lushit por edhe pedagogëve të tjerë në këtë studio që kanë dhënë kontributin e tyre në ngritjen time skenike si aktor”, shprehet mirënjohës ai. Në këtë studio, krahas aspektit arsimor janë përgatitur edhe shfaqje të ndryshme. “Këtu do të veçoja shfaqjen “Don Zhuani” ku unë kam luajtur Sganarelin dhe atë “Monserati” (Iskierdon). Gjatë asaj periudhe kemi pasur një prezantim që e veçoj më shumë. Fjala është për pjesëmarrjen tonë në festivalin teatror “Skena-Up” në Prishtinë me shfaqjen “Monserati” nën regjinë e Liri Lushit, e që ishte një përvojë shumë e mirë për ne”, shton Morina.
Shumica e aktorëve që luajnë në teatër, ëndërrojnë edhe për filmin. Por Dani duket se nuk bën pjesë në këtë shumicë. “Sa u takon paraqitjeve të mia në film, mund të them se, përveç një projekti të vogël me temë sociale, këtu në Gjermani, nuk kam pasur paraqitje të tjera. Kjo ndoshta për faktin se kam qenë më i përkushtuar në skenën e teatrit dhe prandaj nuk kam konkurruar në ndonjë audicion filmi gjerman ose zviceran.
“Aktrimi”, si një familje e dytë
Pas përfundimit të studios, në qershor të vitit 2007 bashkë me një pjesë nga ish kolegët e asaj studioje jemi angazhuar për të themeluar Grupin Teatral “Aktrimi”. Këtë e kemi arritur në nëntor të atij viti, bashkë me Veli Berishën, Naser Limanin Yllka Zuzakun, Avdi Amidin dhe Xheneta Zuzakun. Më vonë na janë bashkuar edhe Fikrim Morina dhe Veton Ibrahimi, që të dy me akademi të mbaruar të aktrimit: Vetoni ne Tiranë e Fikrimi në Prishtinë.
Krahas aktrimit në përgjithësi dhe grupit “Aktrimi” në veçanti, ai gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë aktiv në organizimin dhe udhëheqjen e shumë aktiviteteve kulturore në Zvicër dhe në Gjermani. Ai është pjesë e pashkëputshme e këtyre zhvillimeve. Prandaj Dani nuk e lë pa e përmendur me mirënjohje bashkëpunimin me shumë shoqata kulturore anekënd Zvicrës. “Ndryshe, “Aktrimi” mbetet familja ime e dytë për të cilin jam në gjendje të sakrifikoj gjithçka në shërbim të Grupit!” përfundon Ramadan Morina.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes Kantoni i Gjenevës po mendon të prezantojë katër javë pushim para lindjes për punonjësit në sektorët...
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor
-
BE-ja kërkon që në universitetet e Zvicrës studentët e huaj të paguajnë sa zviceranët