Shkurt.ch

Përdorimi i kodit UNK (OKB) për patentë-shoferët kosovarë në Zvicër

Shumë bashkatdhetarë tonë në Zvicër janë drejtuar tek Ambasada jonë për t’u ankuar në lidhje me përdorimin e kodit UNK në patentin e shoferit të lëshuar nga autoritetet zvicerane për qytetarët kosovarë.

Ambasada jonë në Bernë, e preokupuar me çdo çështje qe ndërlidhet me shtetësinë dhe identitetin tonë, ka kontaktuar me autoritetet përgjegjëse, dhe ka komunikuar me Zyrën federale për rrugë (Office fédéral des routes OFROU) lidhur me këtë çështje.

Gjatë bisedave që kemi zhvilluar me departamentin  për regjistrimin e vozitësve dhe të veturave, kemi konstatuar se autoritetet zvicerane, dhe Zyra federale për rrugë, përdorin kodet që janë të pranuara ndërkombëtarisht, dhe për këtë bazohen në normën ndërkombëtare mbi kodet dhe emrat  e shteteve dhe regjioneve të përdorura  nga  Kombet e Bashkuara dhe listën zyrtare ISO 3166 e cila përdoret ndërkombëtarisht në mënyrë te harmonizuar me qëllim, në mes të tjerash, të lehtësimit të këmbimit ndërkombëtar të të dhënave.

Zyra federale për rrugë ka shprehë mirëkuptimin e saj rreth ankesës së bashkatdhetarëve tanë dhe kërkesës së tyre për ndërrimin e tij në një kode tjetër që ndërlidhet me shtetin e Kosovës, por në të njëjtën kohë ajo  deklaron se ky vendim duhet të merret ndërkombëtarisht, dhe se Zvicra vetëm se po zbaton rregullat dhe normat ndërkombëtare. Si pasojë e kësaj, përderisa nuk ka ndryshim te kodit të Kosovës në normën ndërkombëtare, Zvicra do te vazhdoj të përdorë kodin UNK i pranuar ndërkombëtarisht.