Shkurt.ch

Vdes zhytësi në përpjekje për të vënë rekordin e Ginisit

Tragjedia ka ndodhur kur ai ka dashur të dilte në sipërfaqe por nuk ka mundur të gjente vrimën në akullin e sipërfaqes së liqenit

Ka humbur jetën një zhytës zviceran që synonte të thyente rekordin botëror (të Ginisit) për zhytje në ujë të ftohtë, pa oksigjen. Ai kishte provuar ta bënte këtë nën ujin e ngrirë të liqenit të Davosit. Tragjedia ka ndodhur në momentin kur ai ka dashur të dilte në sipërfaqe por nuk ka mundur të gjente vrimën në akullin e sipërfaqes së liqenit.

Zhytësi 42 vjeç ia kishte dalë të qëndronte dy minuta e 45 sekonda nën ujë pa rezerva oksigjeni. Ai është nxjerrë në sipërfaqe, i dëmtuar rëndë, nga një zhytës tjetër (me oksigjen) por ka ndërruar jetë pak më vonë në spital.

Gara për të vendosur rekord të ri botëror në disiplinën e zhytjes nën ujë të akullt, pa oksigjen, është anuluar.