Zhvillim
Në Gjenevë u mbajt debat i gjerë mbi historinë dhe kulturën shqiptare
Në këtë ngjarje me rëndësi të veçantë ligjëruan profesorë e diplomatë të shquar nga Zvicra dhe Shqipëria
Pjesë e aktiviteteve të pandërprera të Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës, ishte dhe konferenca e djeshme mbi historinë dhe kulturën shqiptare.
Për shkak të interesimit të madh të opinionit mbi këtë temë u debatua në një nga sallat moderne të Universitetit shtetëror të kantonit të Gjenevës.
Në këtë ngjarje me rëndësi të veçantë ligjëruan profesorë e diplomatë të shquar nga Zvicra dhe Shqipëria.
Para se të kalohej në diskutime kryesuesja e konferencës zonja Albana Krasniqi-Malaj, njëherësh edhe drejtoreshë e UPSH-së në Gjenevë, në shenjë nderi dhe respekti të figurës së Z. Victor Ryffy, i cili vdiq në mars të këtij viti ndezi qirinj. Z. Ryffy ishte deputet nacional në Parlamentin e Zvicrës dhe mik i vërtetë i shqiptarëve.
Pastaj konferenca nisi me diskutimin e z. Ilir Gjoni, i cili nga pozita e Ambasadorit Fuqiplotë të Shqipërisë në Bernë, u bëri një vështrim të gjithmbarshëm zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke u fokusuar me theks të veçantë në raportet e shtetit që përfaqëson karshi vendeve të Bashkimit Evropian.
Ai, miqësinë me të gjitha vendet e Perëndimit e cilësoi si një arritje të lartë, duke theksuar që pala shqiptare çdo herë shpreh gatishmëri për fqinjësi të mirë edhe me vendet e rajonit.
Ndërkaq marrëdhëniet ndërmjet popullit shqiptar dhe atij zviceran Z. Gjoni i vlerëson si të qëndrueshme dhe gjithnjë me tendenca për t’u fuqizuar edhe më shumë.
Diktatura dhe izolimi e lanë Shqipërinë të panjohur
Gabriel Aubert ekspert i njohur i së Drejtës së Punës dhe profesor me përvojë mbi tridhjetëvjeçare në Universitetin e Gjenevës, ka evokuar kujtime të shumta nga qëndrimi i tij në Shqipëri. Ai atje kishte shkuar në fillim të viteve të 90-ta.
Në atë periudhë ende në fuqi thotë Aubert, ishte regjimi komunistit me në krye Ramiz Alinë. Vendi ishte në varfëri të skajshme në fytyrat e shqiptareve vërehej zemërimi dhe gjendja e rëndë e tyre shpirtërore dhe materiale.
Shkuarja në Shqipëri ishte punë e zorshme sepse nuk ekzistonin vija të rregullta udhëtimi.
Në Tiranë kemi mbërritur nëpërmjet korridoreve të veçanta sepse diktatura komuniste kishte izoluar popullin shqiptar duke ia shkëputur të gjitha lidhjet me botën.
Pas përmbysjes së sistemit komunist dhe ngadhënjimit të demokracisë në Shqipëri profesori Aubet delegohet në Tiranë nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, me seli në Gjenevë.
Edhe kësaj radhe thotë ai kudo shiheshin pasojat e lëna nga diktatura enveriste.
Megjithatë ishte ngjallë shpresa tek populli shqiptar që gati pas gjysmë shekulli mbyllje të shoh kah e ardhmja.
Profesori Gabrel Audet,është hartues i Kodit të Punës dhe redaktor i shumë rregulloreve dhe ligjeve mbi punën në Shqipëri. Ai kujton edhe takimet e çdoditshme me ekspertët shqiptar e veçanërisht përmend z.Paskal Haxhi, po ashtu i specializuar në të Drejtën e Punës.
Aubert e çmon tepër kurajën e shqiptarëve dhe seriozitetin e tyre në punë.
Ai thotë edhe pse shqiptarët në masë të madhe migruan, ata për asnjë çast nuk harruan vendin e tyre. Madje u treguan të suksesshëm duke u integruar shpejtë e lehtë në vendet mikpritëse.
Njoh studentë të mi shqiptarë që sot kanë pozita të larta në Institucionet me të rëndësishme të Zvicrës,për çfarë edhe i përgëzoi për këto arritje.
Mbase jo e Zakonshme Por Shqipërinë e Njihja shumë pak
Arkeologu i njohur nga Gjeneva, Gionota Gonsagra i përpiktë në punë të gjithë pjesëmarrësve të kësaj konference u ka thënë shpjegime koncize mbi gërmimet dhe gjetjet arkeologjike në Shqipëri.
Ai me mjaft modesti thotë se deri në prill të vitit 2006 dinte shumë pak mbi Shqipërinë. “E dija që këtë vend me Italinë e ndan Deti Adriatik, dhe si është shet fqinjë me Greqinë. Kishte ardhur koha që të përgatisja punimin e doktoratës,profesori im Jean-Paul Descoeuderes si vend të gjurmimeve më kishte propozuar zonën e Orikumit në Shqipërinë e Jugut.
Këtë propozim e pranova me shumë kënaqësi dhe si ceka edhe më herët në Shqipëri u gjeta më 2006.
Së pari vumë kontaktet tona me Institutin Arkeologjik, ku takuam z. Saimir Shpuza po ashtu arkeolog dhe drejtues i Institutit arkeologjik të Shqipërisë.
Meqë misioni ynë dihej pa humbur kohë udhëtuam drejt Jugut të Shqipërisë ,ku ishte edhe terreni i hulumtimeve tona.
Në vendin që nuk e njihja më parë pashë bukuritë përrallore që ofronte riviera shqiptare. Orikumi, Pasha-Limani, dhe Parku i Llogarasë duhet të merren në mbrojtje nga shteti e mos të betonohen sepse ato vërtetë janë vende që tregojnë lashtësinë e Shqipërisë nëpër mileniume”. Arkeologu Consagra e vlerëson shumë lartë edhe bashkëpunimin në grup ndërmjet studentëve shqiptarë dhe atyre zviceranë.
Edhe ai sikurse të tjerët përmend bujarinë dhe mikpritjen shqiptare.
Nënë Tereza, gruaja e shekullit
Alexander Lambert, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare Publike,dhe drejtor i shoqatës Solidest u bëri vështrim në vija të përgjithshme aktiviteteve humanitare të kësaj shoqate.
Pastaj si njohës i mirë i kulturës shqiptare ceku kontributin e jashtëzakonshëm të dy figurave me famë botërore atë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe të Gonxhe Kolë Bojaxhiut, e njohur nga të gjithë edhe si Gruaja e shekullit që shpëtoi mijëra jetë njerëzish.
Profesori, Lambert foli edhe për skandalet e regjimit komunist,duke thënë se as një vend i botës nuk njeh një sistem kaq diktatorial. Ndërtimi i mbi 700mijë bunkerëve dhe lufta e klasave e çoi Shqipërinë buzë greminës.
Deshi Zoti dhe në vitin 1991 ra përfundimisht komunizmi dhe Shqipëria, u çlirua nga vetvetja.
Ajo edhe pse në kushte të rënda ekonomike me plot sukses u orientua kah bota e civilizuar duke ofruar vlera të njëmendta në gjuhë, kulturë dhe shkencë.
Në fund të fjalës së tij z. Lambert, paralajmëroi të gjithë pjesëmarrësit se së shpejti në Tiranë me ndihmën e Shoqatës Solidest , do të vendoset shtatorja e humanistit zviceran Ernest Pictet (1829 – 1909) i cili njihet si mik i mirë i shqiptarëve.
Toleranca ndërfetare në Shqipëri duhet të jetë shembull edhe për të tjerët
Ish-Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri z. Francis Cousin, përshtypjet e tij nga Shqipëria i ka përmbledhur edhe në librin”Métier sans frontier” ku dy kapituj të këtij libri ua kushton shqiptarëve.
Diçka e veçantë dhe e paparë për z. Cousin është toleranca në mes të besimeve fetare në Shqipëri.
Asnjëri nga religjionet nuk tenton të mbizotërojë ndaj njeri-tjetrit por kudo vërehet harmoni e bashkëpunim i ndërsjellë. Këtë e vërtetojnë edhe martesat në mes myslimanëve, katolikeve dhe ortodoksëve,thotë Z. Cousin.
Përkatësia fetare në Shqipëri nuk paraqet asnjëherë pengesë. Prandaj ky vend le të merret si shembull edhe për vendet tjera porositi z.Cousin. Ish- Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri z. Francis Cousin ,me qëndrimin e gjatë atje krijoi miq të shumtë.
Ligjëratën e tij ai e përfundoi duke thënë: kudo që shkoja dëgjoja thënien ”Ndjehuni si në shtëpinë tënde, e kur na shërbenin me ushqime e pije përdornin shprehjen e bukur – Urdhëroni bukë e kripë e zemër!
Shqipëria vend i bukurive natyrore
Profesori universitar Robert Perroulaz i dashuruar në natyrën e Shqipërisë,pohon se në këtë vend ishte para njëzet vjetësh. Ai i magjepsur me florën dhe faunën e Shqipërisë, me të kthyer në Gjenevë, krijon lidhjet ndërmjet universitetit të Gjenevës dhe atij të Tiranës.
Nuk vonon shumë dhe ekipet e përbashkëta të ekspertëve të këtyre dy vendeve nisin punën hulumtuese në Orikum. Ngjashëm me arkeologun Gonsagra edhe profesori Perroulaz porosit që kjo pasuri e rëndësishme dhunti nga zoti të ruhet me kujdes të veçantë nga shteti shqiptar.
Me të përfunduar kjo konferencë u dha edhe një koncert ku Rapsodët e Gjenevës ekzekutuan disa melodi instrumentale me çifteli.
Pastaj me zërin e saj të bukur këngëtarja Mimoza Nazarko, e shoqëruar nga profesoresha e pianos Ermira Zyrakja , dhe violinisti i talentuar Edmond Basha, solli freski të vërtetë duke interpretuar larushi këngësh qytetare nga Shqipëria e Mesme.
Referuesve të kësaj konference në fund zonja Albana Krasniq-Malaj, u dha dhuratë disa disqe me muzikë klasike shqiptare të autores Mira Zyrakja-Lefort.
Mbarëvajtjen e kësaj konference e ka ndihmuar edhe platforma Albinfo.ch, e cila në cilësinë e sponsorit medial në vazhdim e ka njoftuar opinionin për këtë ngjarje të rëndësishme kulturore
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
24 orë në ditë në shërbim të pacientit: Spitex Mednest24 Spitex Mednest24 kontribuon në përmirësimin e cilësisë së jetës së njerëzve të moshuar ose të sëmurë...
-
Votimi në diasporë, ambasada e Kosovës në Gjermani tregon procedurën e plotësimit dhe dërgimit të fletëvotimit
-
Gjermania me numrin më të lartë të votuesve jashtë Kosovës
-
Ja si mund të votoni nga jashtë!
-
Ka mashtruar me baste sportive: Gjykata Federale konfirmon dëbimin e kosovarit
Jeta në Zvicër
-
Informacionet kryesore në lidhje me ndalimin e ri të Rottweiler në kantonin e Cyrihut Në kantonin e Cyrihut që nga fillimi i vitit ka qenë në fuqi një ndalim i...
-
Zvicër: Ftohtë të premten, pritet bora e radhës në ultësira
-
Faturat që duhet të paguani në Zvicër para fundit të janarit
-
Banka Kombëtare e Zvicrës pret të mbyllë vitin financiar 2024 me 80 miliardë franga fitim
-
Fuqia punëtore zvicerane e prodhimit të orëve mbetet e qëndrueshme në tregun e vështirë