CH-Ballkani

Zvicerani eksploron me biçikletë bukuritë e Shqipërisë

Se Shqipëria mund të vizitohet me biçikletë, këtë e ka bërë realitet zvicerani Tobi Gessler.

Tobi Gessler ka ftuar të gjithë evropianët që të zbulojnë Shqipërinë si vendin më të përshtatshëm të turizmit çiklist.

Gessler, i cili merr pjesë në gara sportive të çiklizmit malor, tregon se si u lidh me Shqipërinë.

Ai ka për qëllim të sjellë sa më shumë të huaj që të eksplorojnë zona të ndryshme në Shqipëri, që janë ndër më të mirat për turizmin e çiklizmit.

“Të gjithë të pasionuarit e çiklizmit jashtë duhet të eksplorojnë Shqipërinë. Ka fshatra fantastikë dhe rrugë që nuk gjenden në vende të tjera”, thotë Gessler në rrëfimin e tij për gazetën shqiptare “Shekulli”, përcjell albinfo.ch.

35-vjeçari vjen nga Zvicra, ndërsa jeton në Shqipëri prej dy vjetësh e gjysmë, që nga 2013-a. Në Zvicër ishte punonjës social si dhe shpërndarës me biçikletë në qytetin e Zyrihut.

„Shpërndaja produkte mjekësore nëpër laboratorë apo klinika dentare, etj. Më pëlqente puna që bëja, pasi çiklizmin e kam pasur pasion të hershëm. E kam kultivuar vazhdimisht në Alpet e Zvicrës dhe në turne nëpër vende të ndryshme“, thotë Gessler.

Ai nuk është hera e parë që shëtit nëpër botë me biçikletë

„Për gjashtë javë, duke u nisur nga Cyrihu bashkë me një grup shokësh, përshkuam Bazelin, veriun e Francës, mandej me traget kaluam Kanalin për në Anglinë jugore deri në Uells, për t’u kthyer mbrapsht me tren. Ishte përvojë e mrekullueshme. Ishte vjeshtë dhe prisnim shi, por në fakt, morëm ngjyrë kafe nga dielli. Aventurë shumë e bukur“, thotë Gessler.
Shqipëria megjithatë është një vend shumë i bukur dhe i përshtatshëm për këtë lloj veprimtarie.
„Shqipëria ka një natyrë mjaft të bukur, të egër në kuptimin pozitiv të fjalës dhe njerëz shumë miqësorë. Çiklizmi në mal këtu është një përvojë e mrekullueshme për këdo, por mendoj se është i tillë sidomos për të huajt“, thotë 35-vjeçari nga Zvicra, përcjell albinfo.ch.

„Nëse vjen nga Evropa Perëndimore, Shtetet e Bashkuara apo gjetkë, dhe shkon në fshatrat e Shqipërisë, të duket sikur bën një udhëtim në kohë. Ndjen sikur kthehesh pas 50, apo ndoshta edhe 100 vjetësh. Kjo mund të merret në dy kuptime, por unë e kam në atë pozitiv. Është si një muze – rrugë të paasfaltuara, gjithçka prodhohet në mënyrë artizanale, shtëpi të vjetra, veshjet tradicionale të njerëzve, ushqimi i bërë vetë… janë gjëra të bukura, të cilat nuk i kemi më në Evropën e sotme të industrializuar“, rrëfen për bukuritë e Shqipërisë Gessler.

QTd4thW