Lajme

Topi dhe Berisha uruan Pacollin dhe Thaçin

Topi i uroi homologut të vet të Kosovës suksese në kryerjen e detyrës së lartë dhe i garantoi mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën

 

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka marrë urimet e para për zgjedhjen në detyrën e re. I pari që i telefonoi Presidentit Pacolli ishte homologu i tij shqiptar, Bamir Topi.

 

“Në telefonatën e përzemërt dhe vëllazërore, zoti Topi i uroi homologut të vet të Kosovës suksese në kryerjen e detyrës së lartë dhe i garantoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Shqipërisë për Kosovën”, njofton Zyra për informim e Presidencës.

 

“Presidentin Pacolli e ka uruar edhe shefi i pranisë ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith, ish presidenti kroat, Stipe Mesiq, ish presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani dhe personalitete të tjera publike nga vendi dhe bota”.

 

Ndërkohë kryeministri shqiptar Sali Berisha uroi të mërkurën presidentin e ri të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe kryeministrin e rizgjedhur Hashim Thaçi.

 

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës kanë korrur arritje të mëdha historike gjatë kësaj periudhe dhe unë ruaj besimin se, si President i shtetit më të ri të Evropës, Ju do të sillni një kontribut të ri në konsolidimin e mëtejshëm të këtyre arritjeve dhe në shndërrimin e Kosovës në një faktor edhe më të rëndësishëm paqeje e stabiliteti dhe promovuese të miqësisë e të bashkëpunimit në rajon”, tha Berisha.

 

Ndërsa në urimin dërguar kryeministrin Thaçi, Berisha ka thënë se është thellësisht i bindur se Qeveria do të çojë më tej arritjet e rëndësishme e historike që shteti më i ri i Evropës, Republika e Kosovës, dhe qytetarët e Kosovës kanë shënuar gjatë kësaj periudhe.

 

Berisha theksoi se detyrat e rëndësishme para kryeministrit, Qeverisë dhe mbarë spektrit politik të Kosovës kërkojnë vazhdimin në të ardhmen të përpjekjeve të mëdha e gjithëpërfshirëse për realizimin e njohjes së plotë të Republikës së Kosovës, për zhvillimin ekonomik e të gjithanshëm të saj, integrimin në NATO dhe BE, si dhe konsolidimin e vendit në një faktor edhe më të rëndësishëm të paqes e të bashkëpunimit në rajon.