Lajme

Pacolli nominohet për president, opozita braktis Kuvendin

LDK, Vetëvendosje dhe AAK janë shprehur kundër që president i Kosovës të jetë kandidati i vetëm i nominuar për president, Behgjet Pacolli

Behgjet Pacolli është nominuar kandidat i vetëm për president në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Në emër të AKR-së, nominimin e bëri deputeti i kësaj partie Ibrahim Makolli.

 

LDK, Vetëvendosje dhe AAK janë shprehur kundër që president i Kosovës të jetë kandidati i vetëm i nominuar për president, Behgjet Pacolli.

Në emër të LDK-së, deputeti Ismet Beqiri tha se kjo parti ka vendosë të mos marrë pjesë gjatë votimit për president, ngase zgjedhjet e fundit parlamentare nuk mund të prodhojnë president të rregullt, duke dyshuar në legjitimitetin e zgjedhjeve dhe me këtë edhe legjitimitetin e institucioneve të dala nga këto zgjedhje.

Ndërsa në emër të Vetëvendosje, deputeti Visar Imeri tha se nuk do ta votojnë Pacolin për president, ngase, sipas tyre, ai është i papërshtatshëm politikisht dhe personalisht për të udhëhequr Kosovën. Sipas Imerit, Pacolli ka qenë në shërbim të Hashim Thaçit dhe i qëllimeve të tija politike edhe kur ka qenë në opozitë.

Ardian Gjini në emër të AAK tha se nuk do të marrë pjesë as në votimin e presidentit, e as në votimin e qeverisë.

 Ndërsa partitë e pakicave, SLS dhe Grupi 6 Plus kanë bërë të ditur se do ta votojnë Pacollin për president.

Paraprakisht Komisioni i përkohshëm parlamentar për verifikimin e mandateve dhe imuniteteve konstatoi se kandidati Behgjet Pacolli i plotëson kushtet për të qetë president, në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për president.

Në këtë mbledhje janë të pranishëm aktualisht 67 deputetë, ndërsa për t’u votuar presidenti në raundin e parë duhen dy të tretat e votave të deputetëve, ndërsa për raundin e dytë po aq vota, dhe së fundi, në raundin e tretë nevojitet 61 votë për t’u zgjedhur Pacolli president.