Gjuha

Hapet një paralele e shkollës shqipe në Wattwil

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Angazhim i vazhdueshëm për veprimtarët e shkollës shqipe ka qenë hapja  e paraleleve në gjuhën shqipe me qëllim që të përfshihen sa më shumë fëmijë shqiptarë në mësimin plotësues. Një përpjekje e tillë rezultoi me suksese nga ana e prindërve që jetojnë dhe punojnë në Wattwil të St. Gallenit.

14 maji i vitit 2016, në këtë qytezë piktoreske zvicerane ishte shndërruar në festë për familjet shqiptare. Pas shumë viteve rifilloi mësimi në këtë pikë shkollore në gjuhën shqipe. Në fytyrat e prindërve shihej një ditë e rëndësishme për fëmijët e tyre. Edhe pse në kurbet, ata tani janë më afër gjuhës dhe kulturës shqiptare. Për nxënësit e shkollës shqipe, Aulonën, Aurorën, Fionën, Eronën, Erikun, Arlindin, Florentin, Emirin, Sarën, Kaltrinën, Medinën, Drianën, Arbnorin, Tringën, Almirën, Azrën, Omerin, Sufjanin, Altinën etj., po fillonte një ditë e re.

Në fillim kryetari i Këshillit Iniciues të prindërve, Taip Ibraimi, falënderoi prindërit, duke thënë se një mirënjohje e veçantë iu takon atyre që janë angazhuar gjatë këtyre ditëve, si Dritan Bajrami, Orhan Abazi, Arben Selmanaj, Haki Dautaj, Shaban Halilaj, Avni Jahmurtaj, Fehmi Aliu, Amir Ebibi, Rexhep Ajeti, Demirali Alija, Agim Hamdiu, Gafur Emini, Resul Sherifi, Ramadan Sherifi, Alush Maliqi, Agron Sherifi dhe Valdet Hoxha, për angazhimin  e tyre në hapjen e kësaj pike shkollore, si dhe po ashtu falënderoi mësuesin dhe kryetarin e Këshillit të Arsimtarëve për Kantonin e St. Gallenit, z. Vaxhid Sejdiu, i cili së bashku me ta u angazhua në realizimin e këtyre përpjekjeve. Ai njoftoi prindërit se mësimi do të mbahet në shkollën Wis, ku sot kishin ardhur bashkërisht prindër, fëmijë, nxënës dhe aktivistë e dashamirë të mësimit plotësues të shkollës shqipe.

Dr. Vaxhid Sejdiu, kryetar i Këshillit të Arsimtarëve të Kantonit të St. Gallenit, iu shpërndau tekstet shkollore nxënësve të shkollës shqipe.

Pas tij fjalën e mori Dr.Vaxhid Sejdiu, i cili në fjalën hyrëse i informoi prindërit e kësaj pike shkollore për rëndësinë e gjuhës shqipe, planprogramin  mësimor dhe tekstet shkollore me të cilat punojnë nxënësit në mërgatën shqiptare. Ai mes tjerash iu tha prindërve se emrat e bukur shqip nuk kanë kuptim pa gjuhën shqipe, se fëmijët shqiptarë nuk guxojnë të mbesin analfabetë sa i përket njohurive në gjuhën e nënës. “Për këtë arsye të angazhohemi që fëmijët shqiptarë, përveç gjuhës së vendit, duhet ta mësojnë dhe gjuhën amtare, sepse kjo gjuhë është gjuha jonë, gjuha që ruan identitetin tonë kombëtar.”, tha Sejdiu

“Ne si shkollë shqipe jemi të angazhuar në të gjitha pikëpamjet që t`iu bëjmë apel prindërve shqiptarë që ta ruajnë gjuhën dhe shkollën shqipe, një pikë shkollore do të thotë një rreze drite. Pastaj të gjithë nxënësve iu uroi suksese, duke ua shpërndarë edhe tekstet shkollore”, tha mes tjerash Vaxhid Sejdiu

Suksese nxënësve të kësaj pike shkollore iu dëshiruan edhe veterani i arsimit, mësuesi Shaban Halilaj dhe mësuesi i ri Evzal Selmani, të cilët po ashtu theksuan rëndësinë dhe nevojën për ruajtjen e gjuhës amtare.

Dhe, në fund Këshilli i prindërve ftoi të pranishmit të shijojnë ushqimet nga kuzhina shqiptare, të përgatitura enkas për këtë ditë.

L.A.P.Sh. “Naim Frashëri” i Kantonit të St. Gallenit
Këshilli për informim