Shkurt.ch

Ministri Maurer kritikon shefin e tij partiak

"Nuk ka asnjë arsye që municioni të ruhet nëpër shtëpi. Nuk jemi më në kohën e luftës së ftohtë", ka thënë Maurer

Anëtari i Qeverisë Federale nga SVP, ministri i mbrojtjes Ueli Maurer, ka kundërshtuar shefin e tij partiak Toni Brunner, duke kërkuar që municioni i ushtarakëve të deponohet në kazerma e jo në shtëpi.

Ditë më parë, kryetari i SVP-së, Toni Bruner kishte shpallur idenë që pas JO-së së qartë kundër iniciativës për kufizimin e mbajtjes së armëve, tu lejohet ushtarakëve mbajtja e municionit në shtëpitë e tyre.

Ndërsa Maurer, nga ana tjetër, ka thënë për gazetat e Zvicrës frankofone se, me gjithë fitoren e arritur në votimin popullor të javës së kaluar, „nuk ka asnjë arsye që municioni të ruhet nëpër shtëpi. Nuk jemi më në kohën e luftës së ftohtë”, ka thënë Maurer.

Maurer po ashtu ka drejtuar kritika ndaj kolegut të tij, ideologut të partisë SVP Christoph Mörgeli, i cili ka shprehur synimin që partia e tij të mbërrijë 40 për qind të votave të zviceranëve. Sipas ministrit Maurer, një përqindje e tillë do të ishte e rrezikshme për Zvicrën.