Lajme

Arrihet marrëveshja edhe me pakicat

SLS e Slobodan Petroviqit, i cili do të jetë zëvendëskryeministër, do të drejtojë tri ministri

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me AKR-në, mandatari për formimin e qeverisë së re, Hashim Thaçi, ka nënshkruar sot marrëveshje edhe me pakicat.

Kreu i PDK-së, Hashim Thaci, ka nënshkruar marrëveshje koalicionimi edhe me SLS-në e Slobodan Petroviqit, i cili do jetë zëvendëskryeministër. Kjo parti e serbëve që ka tetë deputetë, do të drejtojë Ministrinë e Pushteti Lokal, Ministrinë e Kthimit dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa do të ketë edhe tre zëvendësministra.

Po ashtu mandatari Thaçi ka nënshkruar marrëveshje edhe me grupin e deputetëve të pakicave të tjera 6 Plus, të cilëve do t’u takojë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Po ashtu, këtij grupi parlamentar do t’i takojnë gjashtë zëvendësministra.

Ndërkohë, për nesër pritet edhe nënshkrimi i marrëveshjes midis PDK-së dhe Listës “Dr. Ibrahim Rugova”, të cilësdo t’i takojë një zëvendëskryeministër. Ky subjekt politik, që i prinë djali i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, Ukë Rugova, i cili ka siguruar mandatin e deputetit në koalicion parazgjedhor me AAK-në, do të drejtojë një ministri.

Nëse përfundon nesër marrëveshja me Listën “Dr. Ibrahim Rugova”, atëherë të hënën do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të ri Kosovës. Në këtë seancë bëhet betimi i deputetëve, do të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Në ndarjen e posteve, kryetari I Kuvendit i takon PDK-së, ndërsa Jakup Krasniqi, kryetar i përbërjes së mëparshme të legjislativit, pritet të rikthehet në këtë post.

Në bazë të marrëveshje midis PDK-së dhe AKR-së ndarjes së posteve, kjo e fundit do të ketë postin e zëvendëskryeministrit, që do të jetë përgjegjës për çështje ekonomike. Mësohet se AKR-ja e ka propozuar Muhamet Mustafën për këtë post. Ai vjen nga grupi i ekspertëve E15, që ishte në koalicion parazgjedhor me AKR-në.

Po ashtu edhe partneri i AKR-së, Partia Social Demokrate e Kosovës (PSDK) do të drejtojë Ministrinë e FSK-së. Ministër do të jetë kreu i PSDK-së, Agim Ceku. Ministër i Shëndetësisë do të jetë Ferid Agani nga Partia e Drejtësisë, po ashtu partnere parazgjedhore e AKR-së.

Ndërsa zëvendëskryetarja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila do të drejtojë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga liderët e PDK-së dhe AKR-së, Hashim Thaçi e Behgjet Pacolli, Koalicioni për Kosovën e Re, përsos postit të presidentit, që kandidat i vetëm i koalicionit pritet të jetë Pacolli, do të ketë edhe pesë zëvendësministra, emrat e të cilëve do të bëhen të ditur më vonë.

PDK-ja do të drejtojë së paku nëntë ministri dhe disa zëvendësministri, ndërsa do të ketë edhe një zëvendëskryeministër.