Lajme

Kosovari tashmë dy javë në grevë urie

Një kosovar 32-vjeçar me shtetësi austriake, sipas informatave të tij, që nga 4 shkurti i këtij viti gjendet në grevë urie.

Duke e llogaritur veten si viktimë juridike, ai për mediat austriake ka deklaruar: „Përfundimisht kam vendosur, më parë do të vdisja se sa të shkoja në burg“.

Bëhet fjalë për Shkumbin F., i cili mendon se drejtësia austriake e ka dëmtuar rëndë dhe i cili nuk pranon kurrsesi të vuajë dënimin. Por, mediat mendojnë se ai duhet ta vuajë dënimin.

Më 3 shkurt të këtij viti, ai kishte pranuar një vendim gjyqësor me të cilin brenda një muaji do të duhej të shkonte në vuajtje të dënimit në burgun e Eisenstadt-it në Austri.

Jeta e kosovarit kishte filluar të ashpërsohej në muajin nëntor të vitit 2009, kur bashkëshortja e tij u largua me dy fëmijë nga ai. Sipas akuzave, ai e kishte keqtrajtuar bashkëshorten, akuza këto të cilat ai i mohon kategorikisht.

Përpos kësaj, gjatë një kursi profesional, ai kishte plaçkitur material instalues në një vlerë prej 22.000 eurove, vepër kjo të cilën po ashtu ai e mohon.

Në mujain tetor të vitit të kaluar, lidhur me këto akuza, ai ishte i detyruar të përgjigjet para Gjykatës në Eisenstadt, e cila e dënoi me një burg në kohëzgjatje prej 15 muajsh, prej të cilave pesë muaj pa kusht.

Ndaj këtij vendimi, ai ishte ankuar në Gjykatën e apelit të Vjenës, e cila nuk e mori parasysh ankesën e tij. „Po të mos paraqitet në vuajtjen e dënimit pa ndonjë justifikim, ai do të merret me dhunë nga policia dhe do të dërgohet në burg“, ka deklaruar një gjykatëse. Atje, po të jetë nevoja, ai do të trajtohet në mënyrë mjekësore dhe psikologjike.