Shkurt.ch

Imamit Krasniqi mund t`i ndalohet hyrja në Zvicër

Shefqet Krasniqi, sipas gazetës “Le matin”, llogaritet si njëri ndër të ftuarit më problematikë të Konferencës Islamike në Biel/Bienne

Nesër, më 19 shkurt në Biel/Bienne mbahet konferenca vjetore islamike që, sipas organizatorëve, është manifestimi më i madh islamik i mbajtur ndonjëherë në Zvicër.

Rreth 1000 mysafirë, të ftuar nga Qendra islamike e Zvicrës,  pritet të jenë të pranishëm në Shtëpinë e kongreseve të këtij qyteti.

Njëri prej të ftuarve për të ligjëruar në konferencë është edhe imami kontrovers i Xhamisë së Madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqi, i cili, siç konstaton portali Blick.ch,  “ka shprehur mendimin se Nënë Tereza, duke mos qenë myslimane, i takon ferrit”.

Krasniqi, edhe sipas gazetës në gjuhën frënge “Le matin”, llogaritet si njëri ndër të ftuarit më problematikë të konferencës. Në këtë shoqëri janë edhe dy ish të krishterë, të konvertuar në myslimanë, Yvone Ridley dhe Yusuif Estes. 

Siç shkruan më tej “Le Matin”, Enti Federal për Migracion është duke shqyrtuar mundësinë e ndalimit ose jo të pjesëmarrjes së këtyre tre të fundit në konferencë. Vetëm pak para manifestimit, enti në fjalë do të vendosë nëse këta tre predikues do të mund të vijnë në Zvicër.

Zëdhënësi i Entit për Migracion, Michael Glauser i ka pohuar medieve zvicerane se “enti është duke analizuar situatën së bashku me policinë federale dhe me autoritetet lokale”.

Në portalin Blick.ch, mes tjerash jepen edhe shënime të shkurtra lidhur me Shefqet Krasniqin. “Ai i pati shokuar katolikët para dy vitesh kur pati deklaruar se “Nënë Tereza është pjesë e ferrit, sepse nuk ka qenë myslimane”, thuhet aty.

Të përballur me dyshimet rreth të ftuarve të tyre, organizatorët e konferencës u kanë deklaruar gazetave zvicerane se “ne kemi ftuar personalitete të cilat përfaqësojnë botën islamike, pa i ndarë gjithmonë qëndrimet me ta”.