Shkurt.ch

Frika nga “dyndjet afrikane” dhe krahasimet me Kosovën

"Kosovarët qysh më parë ishin këtu. Me luftën, ata sollën familjarët e tyre. Ndërkaq, afrikanëve të veriut u mungon një bazë e tillë"

Paralajmërimet për refugjatët që po braktisin Tunizinë ka ngjallur shqetësim serioz te autoritetet zvicerane. Ato e shohin veten të përballur me mundësinë e ardhjes së një numri të madh të refugjatëve nga regjioni i kapluar nga kriza.

Në këtë frikë duket se janë bashkuar të gjitha ngjyrat e spektrit politik të Zvicrës. Kështu, siç shkruan gazeta 20minuten, përveç partive të djathta, “maturi” në pranimin e refugjatëve nga Tunizia kanë kërkuar kësaj radhe edhe përfaqësuesit e partisë Socialdemokrate.

Të vetmit që thonë se “Zvicra duhet të marrë sa më shumë refugjatë që të ketë mundësi”, janë përfaqësuesit e shoqatave që mbrojnë të drejtat e refugjatëve.

Ndërkaq, drejtoresha e policisë së kantonit të St.Gallenit, politikania e FDP-së Karin Keller-Sutter, e pyetur nga 20Minuten lidhur me mundësinë e pranimit në Zvicër të refugjatëve të përmendur është më e drejtpërdrejtë. “Ata janë refugjatë ekonomikë dhe si të tillë duhen kthyer menjëherë mbrapshtë”, ka thënë ajo.

Keller-Sutter po ashtu fajëson autoritetet e shteteve të BE-së, të cilat, sipas saj i krijojnë vështirësi Zvicrës, duke i lejuar ata që tashmë ua kanë refuzuar mikpritjen, të kalojnë kufirin dhe të kërkojnë strehim në Zvicër. Këtu ajo i është referuar kryesisht Italisë.

Pyetjes nëse me migrimin e madh të tunizianëve po përsëriten rrethanat “kosovare” të vitteve 90` që mundësuan krijimin, sipas gazetës të “pakicës së madhe etnike të shqiptarëve të Kosovës në Zvicër”, Keller-Sutter i është përgjigjur negativisht. “Dihet se kosovarët qysh më parë ishin këtu si të rekrutuar, në tregun e punës. Më vonë, me luftën në Kosovë, ata sollën familjarët e tyre këtu. Ndërkaq, afrikanëve të veriut u mungon një bazë e tillë”, ka thënë shefja e policisë së kantonit të St.Gallenit, Karin Keller-Sutter.