Pse po zbrazen shkollat shqipe në Zvicër?

Maloku: Është evidente rënia e numrit të nxënësve

Kryetari i LAPSH në Zvicër, Nexhat Maloku, sheh shumë faktorë që kanë shkaktuar rënien e numrit të nxënësve nga përfundimi i luftës e këndej

Gjatë vitit shkollor 2015/16 janë rreth 2000 nxënëse e nxënës të cilët e vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe në 14 kantone të Zvicrës. Numri sa shkon e zvogëlohet ndërsa nëpër xhami informacionet flasin për një numër dyfish më të madh të nxënësve që mësojnë mësim besim. Për këtë dukuri dhe për sfidat nëpër të cilat po kalon mësimi i shqipes flet në një intervistë për albinfo.ch, kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër, Nexhat Maloku

Albinfo.ch: A mund të na tregoni për numrin e nxënësve që ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër?

Nexhat Maloku: Gjatë vitit shkollor 2015/16 janë rreth 2000 nxënëse e nxënës të cilët e vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe në 14 kantone të Zvicrës. Ky numër nganjëherë lëviz brenda vitit shkollor, ngase kemi hapje të klasave të reja, nxënës të rinj të cilët përfshihen në mësimin shqip edhe gjatë vitit shkollor, pra nxënësit kanë të drejtën t’i bashkangjiten këtij mësimi në çdo kohë. Natyrisht ka edhe raste kur ndonjë nxënës, nga shkaku i angazhimeve të tjera apo ndërrimit të vendbanimit, është i detyruar të ndërpresë vijimin e mësimit plotësues. Këta 2000 nxënës janë të shpërndarë në 163 klasa me të cilët punojnë 57 mësuese dhe mësues.

Albinfo.ch: Është rritur numri i nxënësëve apo zvogëluar në krahasim me vitet e kaluara dhe ku i shihni shkaktarët e mos rritjes së shkollave shqipe?

Nexhat Maloku: Që nga përfundimi i luftës në Kosovë ka ndodhur një rënie e vazhdueshme e numrit të nxënësve në shkollën shqipe të mësimit plotësues në Zvicër. Arsyet e kësaj rënieje janë të ndryshme. Një numër i madh i nxënësve të cilët vijonin mësimin plotësues u kthyen në Kosovë bashkë me prindërit e tyre. Gjithashtu u kthye edhe një numër mjaft i madh i mësimdhënësve të cilët punuan gjatë viteve ’90, të shumtën e herave në mënyrë vullnetare.

Në dekadën e parë të këtij shekulli ndodh një kthesë në jetën e mërgimtarëve në Zvicër. Shqiptarët fillojnë të orientohen më shumë në drejtim të integrimit më të mirë në jetën shoqërore në Zvicër dhe kjo në njërën anë është një gjë e mirë, por në anën tjetër integrimi nuk nënkupton që duhet të hiqet dorë nga identiteti apo gjuha.

Janë edhe mjaft arsye të tjera të cilat ndikojnë që numri i nxënësve të cilët e vijojnë mësimin plotësues të mos jetë i kënaqshëm, duke filluar nga angazhimi i nxënësve në aktivitete të tjera jashtëshkollore, gjë kjo që i pengon ata të vijnë në mësimin shqip ngase ne mësimin e mbajmë pikërisht në atë kohë, pra jashtë orarit të rregullt mësimor. Pastaj ky mësim është jo i obligueshëm, pra varet kryekëput nga interesimi i prindërve se a duan t’i lajmërojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe apo jo. Një ngarkesë tjetër është se prindërit janë të obliguar që të paguajnë për fëmijët e tyre edhe pse kjo pagesë është shumë simbolike.

Por duhet theksuar se faktori kryesor për rritjen e vijueshmërisë së nxënësve në shkollën shqipe të mësimit plotësues janë prindërit, ngase ata vendosin se a duan t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin shqip apo jo. Në këtë drejtim LAPSh duhet të punojë në mënyrë të vazhdueshme bashkë me mekanizmat e tjerë për të gjetur mënyrat që t’i informojë prindërit për këtë mundësi dhe t’ua sqarojë atyre se sa i rëndësishëm është  vijimi i fëmijëve të tyre në shkollën shqipe të mësimit plotësues.

Albinfo.ch: Cilat kantone numërojnë më shumë nxënës të mësimit plotësues?

Nexhat Maloku: Në këtë drejtim Kantoni i Cyrihut ka pasur gjithnjë numrin më të madh të nxënësve, pastaj Kantoni i Aargaut, Kantoni i St. Gallenit, Kantoni i Vaudit etj.

Albinfo.ch: Sa klasë të reja janë hapur dhe sa janë mbyllur në mungesë të nxënësve shqiptarë?

Nexhat Maloku: Vetë fakti se është një numër aq i vogël i nxënësve shqiptarë që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe, nënkupton se gjatë viteve të fundit kemi pasur edhe mbyllje të klasave ashtu siç kemi pasur edhe hapje të klasëve të reja.

Albinfo.ch: Shkollat shqipe kanë më pak nxënës se xhamitë në Zvicër. Si e spjegoni këtë fakt?

Nexhat Maloku: Siç e theksova më lart prindërit janë ata të cilët vendosin se a duan dhe ku duan t’i dërgojnë fëmijët e tyre. Hipoteza ime është se xhamitë frekuentohen vazhdimisht nga prindërit dhe imamët kanë kontakte më të shpeshta me ta, kështu që edhe mundësia për t’i dërguar fëmijët në mësimin mbi etikën e religjionit është më e lehtë. Mund të ketë edhe arsye të tjera, por pasi që nuk i di saktësisht nuk mund të them diçka konkrete.

Albinfo.ch: Nuk mungojnë kritikat se ju nuk po bashkëpunoni me imamët nëpër xhami për t‘i motivuar nxënësit e tyre që të vijnë edhe në shkolla shqipe?

Nexhat Maloku: Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “N. Frashëri” në Zvicër është shumë e interesuar për të bashkëpunuar me të gjithë mërgimtarët, pa marrë parasysh se prej nga vijnë ata. Edhe me Unionin e Imamëve Shqiptarë jemi të hapur për të bashkëpunuar në të mirë të komunitetit shqiptar në Zvicër. Mësimdhënësit e LAPSh-it vazhdojnë të kenë kontakte me imamët e xhamive nëpër lokalitete të ndryshme të Zvicrës, kush më shumë e kush më pak. LAPSh-i para disa javësh mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët në xhaminë e Regensdorfit dhe jemi të interesuar që të kemi edhe në të ardhmen një bashkëpunim sa më të mirë.

Është me rëndësi që secila palë të bëjë një punë të mirë me fëmijët shqiptarë, e cila të jetë e fokusuar në drejtim të edukimit të fëmijëve me vlera evropiane dhe tolerancë fetare. Është e drejtë e prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin e besimit. Por është me rëndësi që imamët shqiptarë të vazhdojnë edhe më tutje t’i informojnë prindërit mbi rëndësinë e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Shkolla shqipe e mësimit plotësues është ofertë publike për fëmijët shqiptarë, e cila mbështetet si nga vendet e prejardhjes së fëmijëve e poashtu edhe nga vendi mikpritës – Zvicra. Mësimdhënësit punojnë duke u bazuar në kurrikulën e MASHT e Republikës së Kosovës dhe i përkrahin fëmijët në zgjerimin e njohurive të tyre në gjuhën shqipe, në thellimin e njohurive për historinë dhe kulturën tonë dhe i ndihmojnë të konfrontohen në mënyrë konstruktive me situatën e tyre të të jetuarit në kultura të ndryshme. Mësimi i gjuhës amtare është një e drejtë fundamentale e ratifikuar me konventa ndërkombëtare. Andaj është obligim i prindërve që të kujdesen që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në mësimin e gjuhës shqipe, e në anën tjetër obligim i yni që të punojmë sa më mirë të jetë e mundur me nxënësit shqiptarë në klasat e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Të dyja palët kanë detyrime ndaj fëmijëve

Është me rëndësi që secila palë të bëjë një punë të mirë me fëmijët shqiptarë, e cila të jetë e fokusuar në drejtim të edukimit të fëmijëve me vlera evropiane dhe tolerancë fetare. Është e drejtë e prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin e besimit. Por është me rëndësi që imamët shqiptarë të vazhdojnë edhe më tutje t’i informojnë prindërit mbi rëndësinë e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.