Kultura

“Kungulli” i Luan Bajraktarit prezantohet në Vjenë

 

Pas suksesit që kishte me instalacionin e tij interesant në ekspozitën “Parallel Viena” në Austri, artisti nga Kosova, Luan Bajraktari do të marrë pjesë me ekspozitën e radhës në Vjenë e cila do të hapet sot (08.04.2016). Ekspozita në të cilën do të jetë pjesë edhe Bajraktari, është emërtuar “Balkanization” dhe do të jetë e hapur në galerinë “Friday Exit” deri më datën 23 prill.

“Emri i ekspozitës është Balkanization, pra si kontekst ka Ballkanin dhe disa artistë nga Ballkani”, thotë ai për “albinfo.ch”.

Ekspozita është e organizuar nga dy artistë serbë të cilët jetojnë në Vjenë. “Për mua kjo ftesë ka qenë shumë e rëndësishme që të prezantoj punën time në një ekspozitë të tillë. Duke e ditur se punët e mia pothuajse e kanë bazën ballkanike, e kam mirëpritur pjesëmarrjen time në këtë ekspozitë”, ka thënë ai.

Luani do të prezantohet me një krijim  që është punuar në bronz dhe  quhet “Kungulli”. Ai pohoi se nuk ka dëshirë të zbulojë më shumë se pse ka vendosur të prezantohet me këtë punim.

“Nëse tregoj shumë rreth kësaj ideje atëherë nuk do të jetë interesante për publikun. Dëshiroj të di vet reagimin e publikut”, ka thënë ai.