Lajme
Reagimet e para të Prishtinës ndaj intervistës së Dick Martyt
Vlora Çitaku: "Nuk mund të jetojmë me këtë barrë që na është vënë padrejtësisht"
Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka ndryshuar për sa i përket raportit të senatorit zviceran, Dick Marty, ka deklaruar u.d. e ministres së Jashtme, Vlora Çitaku.
Ajo ka theksuar se qëndrimi i qeverisë është që zoti Marty të ofrojë të gjitha dëshmitë dhe provat, ashtu siç ka shkruar në letrën zyrtare kryeministri në largim, Hashim Thaçi, të dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, ku shpreh gatishmërinë e tij për të ndihmuar këtë proces. Por, thotë se hetimet duhet t’i kryejë EULEX-i.
Duke komentuar intervistën e fundit të Marty-t, Çitaku ka thënë se ajo nuk ka parë ndonjë ndryshim të qëndrimit të tij. “Nuk ka pasur ndryshim substantial të z. Marty, ndryshimi që ka dhënë në intervistë mund të jetë reflektim personal i z. Marty, por raporti i tij është miratuar tashmë”, ka thënë Çitaku. Sipas saj, “e tëra që Kosova kërkon është që ky raport sa më shpejt të hetohet dhe të zbardhet e vërteta, nga se nuk mund të jetojmë me këtë barrë që na është vënë padrejtësisht”.
Ndërsa, Avni Zogiani nga Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet “ÇOHU”, pohon se në asnjë moment të intervistës së tij senatori Marty nuk ka mohuar raportin e tij. “Ai vetem ka ndryshuar në raport me atë që e kanë nxjerrë mediat shqipe se raportin e ka pikërisht ashtu siç ka folur për albinfo.ch. Marty nuk ka mohuar në asnjë moment raportin e tij, por ka mohuar kualifikimet që i janë bërë atij nga zyrtarë kosovarë dhe nga mediat kosovare. Dick Marty u është përgjigjur akuzave që i janë bërë atij si proserb, mafioz, etj. Ai nuk e ka mohuar në intervistat e tij asnjë konstatim të raportit”.
Por, ndryshe e ka parë intervistën ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka. Ai ka përmendur intervistën e Martyt, ku sipas tij, ai tentoi të shfajësohej. Lauka e fton Martyn duke i thënë atij se “nëse është serioz, ai duhet ta tërheqë raportin e tij dhe para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ta tregojë intervistën e tij dhënë për agjencinë e lajmeve albinfo.co”.
Ndërkohë të enjten në Prishtinë për raportin e Dick Martyt janë mbledhur dhe kanë diskutuar intelektualë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Të gjithë janë pajtuar se raporti i Dick Martyt duhet të luftohet me argumente, e jo me inerci.
Serbia dështoi në çdo aspekt politik dhe juridik ta nxjerrë pavarësinë e Kosovës si shkelje e të drejtës ndërkombëtare, andaj po përpiqet të gjejë kanale të tjera, kësaj radhe për të njollosur UÇK-në dhe luftën e saj, është thënë në konferencën shkencore për dëmet që ka shkaktuar raporti i Dick Martyt.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka thënë se e rëndësishme është se është bashkimi i qëndrimeve në këtë rast. Por, ai e sheh si absurde mundësinë që në rrethana si ato të Burrelit të kryhen transplantime.
Ndërkaq, akademiku Rexhep Qosja ka thënë se duhet të kemi kujdes se si i qasemi Dick Martyt. “Mund të themi se raporti përmban elemente raciste, por nuk guxojmë të themi se Këshilli i Evropës dhe gjithë Evropa është raciste”, ka thënë Qosja.
Ndryshe kryeministri Berisha për emisionin Opinion në Televizionin Klan ka bërë të ditur qëndrimin që do e mbajë delegacioni shqiptar në Këshillin e Evropës. Berisha ka deklaruar se delegacioni i Shqipërisë në Asamblenë e Këshillit të Evropës do të kërkojë hetim.
Por, ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i delegacionit të Maqedonisë. Ermira Mehmeti nga BDI-ja, parti kjo që ka marrë iniciativën për unifikimin e qëndrimit të delegacionit të Maqedonisë, ka thënë se ata ende nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët për qëndrimin lidhur me raportin e Martyt.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve