Lajme
Albinfo.ch thyen tabutë dhe “zbut” Marty-n
Tabuja e parë e thyer është vetë realizimi i një interviste të tillë nga një medium shqiptar, siç është albinfo.ch
Intervista që raportuesi i Këshillit Evropian i dha portalit albinfo.ch ka bërë një jehonë shumë të madhe në të gjitha mediet shqiptare, të rajonit dhe shumë sish evropiane e botërore.
Mediet e jashtme, kryesisht elektronike, që kanë transmetuar intervistën, në trajtën e saj të shkruar dhe atë vizive, kanë vënë theksin kryesisht në thyerjen e tabuve që ka shkaktuar kjo intervistë.
Tabuja e parë ka qenë, sikundër e kanë theksuar disa medie, vetë realizimi i një interviste të tillë nga një medium shqiptar, siç është albinfo.ch dhe transmetimi i saj nga televizioni publik i Kosovës, RTK.
Kështu, televizioni publik i Zvicrës sf1 në emisionin më të shikuar të tipit të magazinës “10 vor 10” ka vënë theksin në faktin se tash mediet shqiptare po i japin hapësirë senatorit Marty, i cili vetëm pak javë më parë, kishte ngjallur valë mllefi në mesin e shqiptarëve, me raportin e tij kontrovers mbiu «trafikimin e organeve». Po ashtu ky televizion edhe në faqen e tij të internetit bën një raport të gjerë nga kjo intervistë, me titullin “Marty mbrohet në televizionin kosovar”, duke cituar pjesë të saj.
Marty “u shpall dashuri” shqiptarëve
Ndërsa gazeta “Tages Anzeiger” shkrimit të publikuar në botimin e saj online i ka vënë titullin «Marty në televizionin Kosovar – historia që përfshin edhe Zvicrën». Në këtë artikull të gjatë, gazeta, veç tjerash shkruan: “me raportin mbi të ashtuquajturin trafikim të organeve, Marty ka ngritur shumë pluhur në Kosovë. Por, ai tashti sqarohet përmes një interviste televizive. Një përzierje në mes të qëndrimit të fortë dhe shpalljes së simpatisë…”.
Pastaj Tages Anzeiger merret me konceptin e intervistës, duke kërkuar mendimin e ideatorit dhe realizuesit të saj, Bashkim Isenit. “Megjithëse gjysmëzviceran, Iseni i shtron pyetjet nga pozicioni kosovar, pozicion ky, sipas të cilit Marty nuk sjell dëshmi, raporti i tij nuk sjell gjë të re dhe po ashtu që Marty ka qenë gjithmonë kundër pavarësisë së Kosovës. Por, shkruan më tutje kjo gazetë “Marty që në fillim të intervistës mohon të jetë kundër pavarësisë së Kosovës”. Pastaj, vazhdon ajo, “raportuesi i KE thekson dhe rithekson në vazhdimësi simpatinë për popullin shqiptar dhe kulturën shqiptare, veç tjerash duke e dëshmuar këtë me faktin se ka lexuar shumë libra të Kadaresë etj.
Po këtë artikull e ka botuar edhe gazeta “Basler Zeitung”. Gazeta zvicerane në gjuhën frënge “Le matin” ka zgjedhur titullin “Marty u përgjigjet kosovarëve”, për artikullin në ballinë të faqes së saj të internetit. “Marty denoncon instrumentalizimin e raportit të tij”, thuhet veç tjerash në hyrje të artikullit që kjo gazetë ka publikuar rreth intervistës së albinfo.ch.
Edhe e përditshmja zvicerane në gjuhën italiane “Ticino live” i kushton hapësirë të konsiderueshme intervistës së realizuar nga albinfo.ch me Dick Martyn, raportuesin e KE-së i cili vjen pikërisht nga kantoni ku botohet kjo gazetë. “Dick Marty: nuk kam shkruar se Thaçi është implikuar në trafikimin e organeve”, thotë kjo gazetë që në titull.
Ballkanasit: “Mos po e ndërron këngën, z. Marty?”
Krahas medieve zvicerane, me intervistën e senatorit ticinez dhënë portalit tonë janë marrë në mënyrë mjaft serioze edhe mediet, kryesisht gazetat, nga Austria. Kështu gazeta nga Vjena “Der Standard” tekstin e saj mbi këtë temë e ka titulluar ”Pështjellim lidhur me gjoja implikimin e Thaçit”.
“Raportuesi special i KE-së, Dick Marty, ka zbutur akuzat e tij ndaj kryeministrit kosovar Hashim Thaçi mbi trafikimin e organeve”, shkruan kjo gazetë, duke theksuar po ashtu thënien e Marty-t se megjithatë, kanë qenë njerëz të afërt me Thaçin ata që kanë pasur të bëjnë me këtë trafikim“. Gazeta tjetër austriake “Kleine Zeitung” shkruan po ashtu që në titull se “Dick Marty zbut akuzat kundër Thaçit”. “Marty ka kundërshtuar që të ketë fajësuar ndonjëherë kryeministrin Thaçi për trafikim organesh pas luftës në Kosovë”, thotë “Kleine Zeitung”.
Ndërsa gazeta “Wiener Zeitung” vë në titull të artikullit fjalinë “Kthesë në rastin Thaçi”. “Siç u bë e ditur të mërkurën në mbrëmje, akuzat e tij kundër kryeministrit të Kosovës, raportuesi i KE-së, tashmë, e pakta që mund të thuhet, i ka zbutur”.
Intervista e DIck Martyt dhënë për portalin albinfo.ch dhe e transmetuar edhe përmes RTK-së ka zënë vend të merituar po ashtu edhe në kryeartikujt e gazetave dhe medieve tjera të Ballkanit. Kështu, gazetat beogradase si “Blic”, “Veçernje novosti” etj. kanë vënë titullin e njëjtë, ku Martyt i vihen në gojë fjalët: “nuk kam thënë se Thaçi është implikuar personalisht”.
Është interesante se po ky titull u është vënë edhe artikujve të gazetave tjera serbe, pastaj disa të tjerave boshnjake, kroate, maqedonase dhe sllovene, që përflasin intervistën e albinfo.ch. Në këtë mes hyn gazeta “Vesti” e Beogradit, “Nezavisne Novine” e Bosnjës, portali maqedonas “InPress” si dhe, në fund edhe gazeta sllovene “Dnevnik”. Portali Vesti.online, me merakosje evidente, artikullit të vet i vë titullin me pikëpyetje në fund: “A po e ndërron këngën z Marty?”
Kryeartikull i mirëpritur për mediet shqiptare…
Ndërkaq, mediet shqiptare, siç edhe mund të pritej, të gjitha pa përjashtim kanë raportuar për këtë intervistë, duke e vënë atë në kryeartikujt e gazetave, respektivisht në krye të edicioneve informative të televizioneve dhe radiove. Këto të fundit, duke e shkoqitur intervistën në hollësi dhe duke marrë citime të gjata me shkrim nga ajo. Disa gazeta dhe disa faqe interneti në gjuhën shqipe, madje, kanë botuar intervistën në tërësi, duke ua ofruar atë lexuesve të vetë si temë dite ose edhe jave, të dorës së parë.
Në shumicën e gazetave mbizotëron titulli sipas të cilit, me këtë intervistë “Marty shfajëson Thaçin dhe UÇK-në”. Këtë titull ka vendosur në kryeartikullin e saj gazeta “Koha Ditore”, pastaj sajti “Indeksonline”, etj. Ndërsa gazeta “Zëri”, nën titullin “Marty: Nuk e akuzoj direkt Thaçin”, shkruan:
“Dick Marty paraqitet befasisht për mediet shqiptare. Ai, në një intervistë të gjatë për agjencinë shqiptare të lajmeve në Zvicër Albinfo.ch flet në hollësi lidhur me raportin e tij aq të përfolur mbi “trafikimin e organeve”. Agjencia shqiptare e lajmeve “NOA” titullon kështu shkrimin e saj: ”Rrëfim befasues i Marty. Mohon gjithçka (!)”.
Në BallkanWeb: “rrëfehet Dick marty: Nuk kriminalizoj Thaçin dhe luftën e UÇK-së”. Ndërsa gazeta “Fakti Ditor” i kushton pothuaj tërë ballinën kësaj interviste, duke e vënë si titull te kryeartikullit “Dick Marty iu flet shqiptarëve” dhe duke botuar intervistën e plotë (në botimin online). Te gazeta “Kosova sot”, shkrimi mbi rrëfimin e Martyt titullohet “Dik Marti shfajësohet për raportin”, ndërsa te “Bota sot”, Marti: “Bëra punën që më ishte kërkuar”.
Portali Koha e re” për titull të tekstit me këtë problematikë ka vënë “Dik Marty “amniston” Hashim Thaçin. Gazeta nga Tirana “Shekulli”, shkruan se Dick Marty ka zbutur tonin e akuzave ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa si titull ka vënë: Marti: S`jam kundër shqiptarëve”.
E përbashkëta e të gjithë artikujve me këtë temë, është, diku e nënvizuar e diku e lënë për tu nënkuptuar, se intervista si e tillë ka ndikuar shumë në relaksimin e atmosferës pas valëve të zemëratës që kishte ngjallur Dick Marty me raportin e tij lidhur me “Trafikimin e organeve”.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve