Lajme

Ekspertët ndërkombëtarë: Demarkacioni me Malin e Zi është në rregull

Ky komision i përbërë prej tre ekspertësh ndërkombëtarë, kanë vërtetuar atë që ka bërë Komisioni i Kosovës për shenjëzimin e kufirit

Ekspertët ndërkombëtarë që i ka emëruar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga kanë konstatuar se Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi është në rregull dhe nuk ka kurrfarë shkeljesh. Ky komision i përbërë prej tre ekspertësh ndërkombëtarë, kanë vërtetuar atë që ka bërë Komisioni i Kosovës për shenjëzimin e kufirit.

“Nga aspekti ligjor dhe teknik, ekspertët ndërkombëtarë nuk kanë gjetur shkelje, dhe kanë vlerësuar se procesi u është përmbajtur rregullave ligjore. Komisioni ka vlerësuar se ky proces i demarkacionit është dashur të jetë më transparent, përfshirë edhe familjarizimin e publikut, përfshirë hartat dhe gjetjet gjeodezike”, deklaroi presidentja Jahjaga.

Por, edhe pas këtij vlerësimi, tri partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA janë deklaruar kundër, duk e vlerësuar komisionin si politik. Opozita ka shprehur skepticizmin dhe kundërshtimin e saj, “për shkak se ky komision nuk përmbante asnjë ekspert vendor dhe në anën tjetër, kishte përcaktuar që metodën e punës ta kishte të njëjtë me atë të komisionit paraprak”.

“Opozita vlerëson se të gjeturat e këtij ekipi ndërkombëtarë, për vlerësimin e punës së Komisionit Shtetëror të Kosovës për demarkacionin e kufirit me Malin e zi, janë vlerësime që janë bërë për nevojat e Presidentes dhe si të tilla nuk mund të kenë reflektim në domosdoshmërinë e korrigjimit të kufirit me Malin e Zi”, thuhet në reagim.

Kufijtë e Kosovës, sipas opozitës, mund t’i caktojë vetëm një Komision kredibil shtetëror i Kosovës, i cili mund të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë, që do të shfrytëzojë dokumenta valide, metodologji adapte të punës dhe të dhëna shkencore, por kurrsesi një grup prej tre personave prej të cilëve vetëm njëri është ekspert i fushës kurse dy të tjerët janë diplomatë.

Ndërsa Qeveria e Kosovës e përshëndetë gjithashtu gjetjet e Komisionit për Demarkacion, sepse ato, duke qenë edhe në përputhje me përfundimet e mëhershme të Departamentit Amerikan të Shtetit, heqin të gjitha dilemat rreth kësaj çështjeje, thuhet ndër të tjera në reagimin e qeverisë.

Ndërsa anëtari i Komisionit ndërkombëtar, Fletcher M. Burton, ka thënë se procesi kishte një bazë të fortë ligjore dhe se puna e komisionit shtetëror të Kosovës ka legjitimitet.
“Kemi gjetur se Komisioni Shtetëror i Kosovës ka qenë i vendosur në një themel të fortë. Procesi kishte një bazë të fortë ligjore. Për shkak të këtij fakti, kemi gjetur se nga këndi apo aspekti ligjor, procesi dhe puna e Komisionit ka pasur legjitimitet”, është shprehur Barton.

Ndryshe, dy javë më parë presidentja Jahjaga ka caktuar tre ekspert ndërkombëtarë, një amerikan, një britanik dhe një gjerman që të vërtetojnë nëse i është falë apo jo tokë e Kosovës, Malit ë Zi. Sipas opozitës, marrëveshja e gushtit 2015 ia falë shtetit malazezë 8300 hektarë tokë.