Zhvillim
Shqipëria dhe plazhet e pazbuluara përrallore të Evropës
Deri para 25 vitesh Shqipëria ishte Korea Veriore e Evropës. Gjurmë të kohës komuniste ekzistojnë ende, por shumëçka ka ndryshuar. Plazhet dhe objektet kulturore përrallore - këtu nuk janë eksploruar ende
“One picture, please!” – një djalë i ri më jep smartfonin e tij në dorë dhe zë pozitë para grafiteve me ngjyra të ndyshme. Nuk është një çfarëdo copë betoni ajo që ai ka gjetur si sfond për foton e tij të kujtimit. Është një segment i Murit të Berlinit, që është vendosur 1’300 kilometra larg nga vendi i origjinës, në Qendrën e Tiranës.
Copa e Murit 3.60 m e lartë është vendosur në vitin 2013 si simbol i lirisë në kryeqytetin shqiptar. Është një pjesë e monumentit që kujton viktimat e diktaturës komuniste. Dhe disa prej tyre janë edhe nga Shqipëria.
Me decenie sundoi këtu një regjim që shtypi tmerrshëm qytetarët e tij dhe i izoloi ata plotësisht nga bota – Shqipëria ishte Korea Veriore e Evropës, shkruan “De Welt”, tranmseton albinfo.ch. Në mars të vitit 1991 populli pati mundësi për herë të parë të zgjedhë lirshëm. Që atëherë demokracia dhe liria e kanë ndryshuar vendin në mënyrë enorme.
Sot kush shëtit në Sheshin „Dëshmorët Kombit“ , një ale të gjerë në qendër të Tiranës, sheh një qytet të madh evropian. Një pjesë të madhe të muzeve dhe të kurioziteteve, ndër të tjera edhe copën e Murit të Berlinit, i arrin pa ndonjë mund në këmbë.
Stalini dhe Lenini janë të papërdorshëm
Gjurmët e kohës së komunizmit nuk janë zhdukur ende. Një shikim prapa Galerisë Kombëtare të Arteve e vërteton këtë. Në një çoshe të saj qëndrojnë të vendosura pa ndonjë kujdes dhe pa u brengosur për fatin e tyre, statujat e Stalinit dhe të Leninit.
Edhe respekti për diktatorin Enver Hoxha, i cili ishte në pushtet deri në vitin 1985, ka përfunduar. Mauzoleu në formë piramide, i bërë për të dhe i konstruktuar nga vajza e tij, sot shfrytëzohet nga të rinjtë për ngjitje dhe rrëshqitje. Derisa ndërtesat e tjera janë renovuar, ndërtesa mburravece duket bukur e rënë.
Ndryshimi duket sidomos në veri të bulevardit në „Lagjen e Bllokut“. Këtu në kohën e komunizmit jetonin funksionarët e lartë të regjimit, përcjell albinfo.ch shkrimin e “Die Welt” . Në shtëpi kishin madje edhe ngrohje qendrore– një luks që s’mund të gjendej diku tjetër në vend.
Lagja ishte e ruajtur rigorozisht. Pa leje s’mund të hynte askush këtu. Në ndërkohë lagjja ka rënë sërish në duar të qytetarëve. Lagjja e vilave me kopshtet e saj është bërë pjesa më e parapëlqyeshme për dalje. Restorantet dhe kafenetë e shumta janë përplot mysafirë.
Shtëpitë shekullore në Gjirokastër
Punëtorët ishin të padëshiruar në Lagjen e Bllokut. Ata kishin lagjet e tyre – kështu si edhe në Gjirokastër, një qytet në jug të vendit, afër kufirit me Greqinë. Për fat qyteti i vjetër, që varet në një kodër prapa një kështjelle të fortë, ka mbetur i paprekur nga ndërtimet e reja.
Sot, kur ec rrugëve të tij të ngushta të duket vetja i kthyer për shekuj prapa. Rrugët janë aq të rrëpirta sa që ato janë bërë në fromë shkallësh. Për kafenetë e vogla ato ofrojnë aq vend sa të mund të vendosin para derës ndonjë tavolinëz me dy karrike. Mungojnë vetëm mysafirët. Gjirokastra konsiderohet si një ndër pikat kulminante të një udhëtimi në Shqipëri.
Qyteti në shekulin XVI ishte një qendër e rëndësishme administrative e Perandorisë Osmane. Nëpunësit e pasur ndërtuan këtu shtëpi luksoze për familjet e tyre, shtëpi që iu përngjanin kështjellave. Arsye për këtë ishin hasmëritë mes familjeve dhe tensionimet me Sulltanin e Stambollit. Që nga viti 2005 shtëpitë shekullore, kullat e kushtueshme, janë nën trashëgiminë kulturore botërore të UNESCO-s. Rreth 500 shtëpi janë nën mbrojtje si monumente kulturore.
Kjo trashëgimi nuk është e lehtë për banorët e qytetit. Në mes të ditës shohim një burrë që përpiqet të sanojë dëmet në shtëpinë e tij. Një vrimë e madhe në kulm dhe dërrasa të kalbura, që varen në asgjëkundi në skaj të tij. I mungon një konstruksion i mirë druri në të cilin do të mund të vendoseshin rrasat tipike të Gjirokastrës, përcjell albinfo.ch. Pronari përpqiet që duarthatë ta ruajë nga shkatërrimi substancën e vjetër.
Shumë ndërtesa janë dëmtuar rëndë, jo vetëm në Luftën e Dytë, kur trupat gjermane dhe italiane e granatuan qytetin, por edhe në kohën e komunizmit. Kur ndodhi ndryshimi politik në vitin 1990 dhe u bë edhe mbyllja e ndërmarrjeve prodhuese, shumë banorë ikën në Greqinë fqinje. Shtëpitë mbetën nën mëshirën e fatit.
Pronarëve të sotshëm ju mungojnë mjetet për riparim. Përkrahje financiaare marrin vetëm poqese i plotësojnë kriteret e të qenit monumet i mbrojtur kulturor. Por kërkesat trajtohen ngadalë dhe paratë nuk paguhen.
Bunkerët përshkojnë tërë vendin
Por, përkundër kësaj, banorët nuk e kanë humbur humorin. “Dirty Glasses. Rude Staff. Expensive. Albanian Humor. Try Us!” (Gota të ndyera. Staf i vrazhdtë. Humor i pasur shqiptar. Provojini!“ , reklamon një prej restoraneve në pjesën e vjetër të qytetit. Por kohë për ta provuar nuk na mbetet. Në program është vizita Muzeut Etnografik në shtëpinë e lindjes së Enver Hoxhës, i hapur më 1946 nga Republika Popullore e Shqipërisë
Nën udhëheqjen e diktatorit komunist vendi gjatë katërdhjetë viteve ndoqi një rrugë të veçantë. Më 1968 qeveria u prish me Bashkimin Sovjetik, dhjetë vite më vonë edhe me Kinën , me çka Shqipëria u izolua plotësisht politikisht dhe me këtë ra për dhé edhe ekonomikisht.
Për ta mbrojtuar vendin, që për nga sipërfaqja është sa Brandenburgu, nga ndonjë invazion i trupave të huaj, ai erdhi te idea makabre e ndërtimit të 700‘000 bunkerëve, transmeton albinfo.ch. Në udhëtimin nëpër bjeshkë drejt bregdetit shohim ndërtime betoni në formë kërpudhash në një vend përndryshe të paprekur.
Përveç bunkerëve të vegjël për një njeri janë ndërtuar edhe bunkerë më të mëdhenj, siç është bunkeri i mbrojtjes nga sulmet atomike për anätarët e qeverisë, i ndërtuar në kodrën e kalasë së Gjirokastrës.
Kur dy ditë më vonë ndalemi shkurt në Apolloni për të inspektuar më saktësisht një bunker të tillë, e trembim një fshatar , i cili ishte futur brenda në bunker dhe po hante rehat në hijen e tij. 75-vjeçari i gëzohet ndryshimit të papritur.
Anglisht nuk flet. Duke gjestikuluar fuqishëm na dërgon tek një fushë misri të rrethuar me kaçuba. Atje na tregon një bunker në hyrje të të cilit gjendet një mbishkrim „ndërtuar nga Anno, 1944“. Një trashëgëmi prej gjermanëve, të cilët e kishin pushtuar vendin në Luftën e Dytë Botërore pas italianëve. Por sot shqiptarët nuk nxjerrin mllef ndaj gjermanëve. Në ndarje na jipen edhe ca fiq të ëmbël në dorë.
Optimizëm në rivierën shqiptare
Në këtë vend ndihesh i mirëseardhur dhe i sigurt. Mikpritja është e madhe . Të vjelat e fshatarëve janë të ulëta përkundër klimës së favorshme dhe tokës pjellore. Makinat moderne mungojnë. Shumë bujq punojnë në parcela të vogla.
Gjendje më e mirë nuk është as në industri. Pas ndërrimit të sistemit u mbyllën 20 mijë vende pune vetëm nga mbyllja e dy kombinateve të tekstilit . Sot me vetëm një palë të ardhura s’mund të qëndrojë mbi ujë as shtresa e mesme e të arsimuarve.
Në portën e Shqipërisë së panjohur
Shpresa qëndron në turizëm. Derisa të huajt në kohën e komunizmit mund të udhëtonin në Shqipëri vetëm në kushte shumë të vëshitra, sot – sidomos në rivierën shqiptare – mbretëron optimizëm
Kjo shihet qartë kur i ofrohemi Sarandës. Ende para se ta kalonim vargun e bjeshkëve, pas të cilave shtrihet qyteti bregdetar në një gji të Detit Jon, shfaqen ndërtimet e egra në shpatije.Me ndërrimin e sistemit filloi edhe shpërngulja e popullsisë në zonat e banuara të qyteteve bregdetare dhe të Tiranës.
Me mijëra shtëpi ende të pandërtuara shtrihen në tërë vendin. Shpesh banohet vetëm një kat i i shtëpisë në ndërtim, kurse pjesa tjetër mbetet vetëm një skelet betoni, përcjell albino.ch gazetën gjermane. Saranda me mbi 300 ditë me diell në vit, e cila edhe në kohën e komunizmit ishte një ndër qendrat e preferuara të pushimit, ishte një ndër vendet e para në të cilat shpërtheu bumi ndërtimor.
Qyteti ka ndryshuar aq sa, siç thotë përcjellësi ynë i udhëtimit, Martin Mato, e ka të vështirë më ta gjejë truallin e gjyshit të tij. Gjatë sezonit veror vijnë edhe 30 000 banorë të rinj, rreth dyfishi i banorëve të përhershëm. Shpesh barkat e shpejta i sjellin mysafirët këtu edhe nga ishulli grek i Korfuit, rreth tre kilometra larg.
Vendet arkeologjike në një pozitë të mirë
Ekzistojnë dy muze të vegjël në Sarandë dhe mbetjet e një sinagoge të shekujve 5 dhe 6-të. por shumicën e turistëve i tërheq plazhi i ngritur artificialisht. Ai është bukur i ngushtë dhe guror. Shtretërit me pamje nga Korfuzi janë të kërkuar. Por ata që duan qetësi nuk i kanë larg plazhet pothuajse të zbrazta në gjinjtë vegjël e të bukur, në fshtarat dhe në bregdetin e rrëpirtë me pamje spaktakulare nga deti ngjyrë gurkali.
Në jug të Sarandës ia vlen një shmangie për në Ksamil – edhe pse gjysmishulli tashmë nuk është pikë e panjohur. Sepse qeveria e pati ndërtuar nga këtu një rrugë për në Ksamil me rastin e vizitës së presidentit të atëhershëm sovjetik, Nikita Hrushcov, i cili pati vizituar edhe vendbanimin arkeologjik të Butrintit. Kujt i duket tollovi në plazh, mund të ikë nga rrëmuja e të notojë deri në ishujtë e afërm apo ta marrë me qira ndonjë barkë me pedale.
Butriniti, krahas Apollonisë, është vendbanimi më domethënës arkeologjik në Shqipëri dhe njëkohësisht një ndër më interesantët në tërë hapësirën mediterane. Qyteti gërmadhë – poashtu vlerë e trashëgimisë botërore – shtrihet në një park nacional në një gjysmishull pyjor në ngushticën e Korfuzit.
Një xhiro nëpër të të shpie në reliktet nga antika deri në mesjetë dhe atë nëpër tempuj, banjo termale, një amfiteatër dhe nëpër mbetjet e një pagëzimorje me një dysheme me mozaik madhështor ngjyrash. Grekët, romakët, bizantinët, venedikasit kanë lënë këtu gjurmët e tyre. Megjithëkëtë këtu takon vetëm pak vizitorë jo shqiptarë.
Një shëtitje natën nëpër shetitoren e Sarandës
Ngarendje e madhe haset mbrëmjeve në shetitoren e Sarandës. Këtu si vendasit, ashtu edhe turistët e huaj shijojnë ritualin e pëlqyer në gjithë vendin të shetijes në mbrëmje nëpër shetitore. Shetitorja e Sarandës shkon përgjatë ujit 2 kilometra në një drejtim.
Të gjithë janë zbukuruar. Foshnjet u kanë vënë kordele prindërve mbi kokat tullace, burrat e moshuar janë ulur së bashku për të pirë raki, të rinjtë janë ndarë sipas gjinive në grupe të vogla- të rinjtë muskuloz, vajzat në fustana të shkurtë.
Që popullsia e Shqipërisë është kryesisht myslimane duket se nuk paraqet problem. Në komunizëm praktikimi i të gjitha feve ishte i ndaluar. Kishat u patën kthyer në përdorim si salla sportesh apo si shtalla bagëtish. Sot myslimanët, ortodoksët e krishterë dhe katolikët jetojnë në paqe me njëri- tjetrin, përcjell albinfo.ch. Vetë kishat e restauruara gjenden pranë xhamive, organizatat sociale shfrytëzohen bashkarisht nga banorët e komunitetit.
Edhe Nënë Tereza, shqiptarja e famshme, nderohet edhe pse me vonesë (shpallja e saj e shenjtë nga Papa në Vatikan – përkthyesi). Përgjatë shetitores ajo ofrohet edhe në formë busti në sfera të qelqit. Veç kësaj të tërheqin edhe taketuket në formë të bunkerëve të vegjël.
Këtu ende janë kryesisht shqiptarët ata që i bëjnë pushimet. Por është vetëm çështje kohe kur edhe evropianë të tjerë do ta zbulojnë këtë vend të vogël – magjia e të cilit mbruhet në kundërshtitë e transformimit të tij.
Die Welt
Përkthimi për albinfo.ch: Nexhmedin Gerguri
Të ngjashme
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Shitjet e birrës në Zvicër u zvogëluan nga moti i keq Prodhuesit e birrës kanë pasur vështirësi në Zvicër gjatë vitit të kaluar, pjesërisht për shkak të...
-
Pse udhëtarët në Zvicër mund të paguajnë për kilometër në të ardhmen?
-
Nesër, mbyllja e stacioneve të trenit të Gjenevës
-
Zvicër: Dita e sotme shënon fillimin e javës së ‘Black Friday’
-
Zvicër: Aksident mes mjetit ushtarak dhe autobusit