Fotolajmi

Gjermanët nuk frikësohen nga terrorizmi

Sulmet e fundit në Belgjikë nuk i kanë frikësuar gjermanët. Shumica e gjermanëve thonë se nuk i tremben terrorizmit.
Megjithatë, më shumë se gjysma e tyre thonë se presin që sulme të ketë këtë vit edhe në Gjermani.

Sipas sondazhit që ka kryer tabloidi gjerman Bild, 56 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk kanë frikë nga terrorizmi, krahasuar me 42 për qind që kanë shprehur të kundërtën, përcjell albinfo.ch.

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, duke folur në të njëjtin artikull, ka thënë se nuk ka asnjë provë për planifikimin e sulmeve në Gjermani.

Ai e ka përshkruar situatën si të tensionuar, por ka thënë se nuk ka asnjë arsye që të anulohen ngjarjet publike ose të ndërmerren masa të ngjashme.

De Maiziere ka përsëritur kërkesën për shpërndarje më të mirë të të dhënave midis agjencive evropiane të sigurisë.