Lajme

Sulmohen tre policë të EULEX-it në veri të Mitrovicë

Janë sulmuar fizikisht tre zyrtarë policorë të EULEX-it nga një grup i personave të paidentifikuar në veri të Mitrovicës.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar të ketë ndodhur në orën 2:30 të mëngjesit të sotëm, në rrugën “Mbreti Petër”, në veri të Mitrovicës.

“Pas kontaktit me prokurorin publik të Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, rasti është kualifikuar si vepër penale – rrezikim i personave në mbrojtje ndërkombëtare. Hetimet do të ndiqen nga hetuesit rajonalë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndryshe, sulme ndaj zyrtarëve të misionit evropian të sundimit të ligjit në Kosovë ka pasur vazhdimisht gjatë këtyre dy viteve sa ka pasur shtrirje ky mision në pjesën veriore të Mitrovicë. Vitin e kaluar u dogjën disa vetura të EULEX-it në këtë pjesë të Kosovës.