Alarme të rrejshme bombash në Gjenevë dhe Soloturn

 

Pas evakuimit të personelit të filialës së Migrosit, në fshatin Langedorf të Soloturnit, dhe kontrollimit të objektit nga ana e policisë, rezultoi të ketë qenë i rremë kërcënimi me bombë, njofton Policia në Soloturn. Dyqani i Migrosit është rihapur në mesditë, bëjnë të ditur autoritetet policore për agjensinë e lajmeve 20min.

Alarmi ishte shkaktuar pas zbulimit të një mbishkrimi për kërcënim me bombë, në tualetet e klientëve të Migrosit në Langedorf.

Një kërcënim tjetër me bombë doli të jetë i rremë në Gjenevë, në ndërtesën e Radio Televizionit Zviceran TSR, njoftojnë autoritetet policore në Gjenevë, transmetojnë agjencitë e lajmeve. Pas marrjes së kërcënimit me bombë pak para orës 11, të ditës së enjte, e tërë ndërtesa e Radio Televizionit Zviceran (TSR) ishte evakuuar.

Policia e Gjenevës kishte konfirmuar për 20min, se kishin marë një mesazh kërcënimi me telefon nga një i huaj, i panjohur për policinë. Por pas kontrollimit të objektit të Televizionit, rezultoi i rrejshëm edhe ky alarm me bombë.