Shkurt.ch

Bazeli, seli e qendrës procedurale të azilit për Zvicrën Veriperëndimore

Partnerët janë marrë vesh që në qendrën e sotme të pranimit (EVZ) të krijohen 350 vende të reja për strehim të azilkërkuesve dhe në këtë kontekst të shtohen edhe vendet përkatëse, të nevojshme të punës, njofton SEM

Është marrë vendimi për selinë e qendrës procedurale të azilit për regjionin e Zvicrës Veriperëndimore. Autoritetet federale dhe ato të kantonit Basel-Stadt kanë nënshkuar sot marrëveshjen përkatëse. Sipas saj, në vendin ku sot është qendra për pranim dhe pricedurë ngrihet selia e përmendur që do të ketë vend për 350 azilkërkues.

Me deklarimin e përbashkët, kantoni Basel-Stadt, Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) dhe Zyra Federale për Ndërtim e Logjistikë (BBL) kanë vendosur themelin e qendrës në të cilë në të ardhmen do të realizohen procedurat e reja, të shpejtuara të azilit.

Partnerët janë marrë vesh që në qendrën e sotme të pranimit (EVZ) të krijohen 350 vende të reja për strehim të azilkërkuesve dhe në këtë kontekst të shtohen edhe vendet përkatëse, të nevojshme të punës, njofton SEM. Është planifikuar po ashtu edhe ndërtimi i një pavioni zyrash, transmeton albinfo.ch.

Për të krijuar hapësisrë shtesë për strehimin e azilkërkuesve të mitur e të pashoqëruar, federata do ta marrë me qira për kohë të gjatë nga kantoni Basel-Stadt një ndërtesë që ndodhet në afërsi të qendrës.

Me ngritjen e kësaj selie, tash federata disponon me 11 qendra të tilla për procedurë të shpejtuar të azilit, dy nga të cilat në Zvicrën Veriperëndimore.

Në verën e vitit 2015 së bashku me kantonin e Solothurnit ishte marrë vendimi për ngritje e një qendre të tillë me 250 vende, në komunën Flumenthal. Aktualisht është duke u bërë evaluimi edhe për një endër tjetër të tillë në regjion.

Në regjionin e Zvicrës Veriperëndimore ku hyjnë kantonet Solothurn, Basel-Stadt, Baselland dhe Aargau, federata do të ketë gjithsej 840 vende për strehimin e azilkërkuesve dhe realizimin e procedurës së azilit.